Mjekët gjermanë: Lockdown dyjavor për shmangien e katastrofës spitalore

0
118

Mjekët gjermanë kanë paralajmëruar se mënyra e vetme për të shmangur katastrofën në spitale, ndërsa vendi ndeshet me një valë të tretë të infeksioneve të koronavirusit, është një bllokim i ngurtë dyjavor.

”Një përzierje mes bllokimeve, vaksinimeve dhe testeve është e nevojshme për të parandaluar tejkalimin e njësive të kujdesit intensiv”, i tha gazetës ”Rheinischen Post” kreu i Shoqatës Ndërdisiplinare Gjermane, Christian Karagiannidis.

Ai u bëri thirrje politikanëve që menjëherë t’i japin fund çdo hapjeje të planifikuar në dritën e numrit të rasteve në rritje të shpejtë.

“Unë u kërkoj politikanëve të mos i braktisin stafet e spitaleve”, shtoi Karagiannidis.

Instituti Robert Koch (RKI) për Kontrollin e Sëmundjeve raportoi sot shkallën më të lartë të incidencës shtatëditore për 100 000 banorë që nga mesi i janarit: 124.9., ndërsa një ditë më parë kishte qëndruar në 119.1.

Konfuzioni mbi strategjinë e kontrollit të koronavirusit në Berlin ka shkaktuar përçarje ndërmjet kryeministrave të 16 landeve gjermane, disa prej të cilëve refuzojnë të pranojnë një plan për t’u kthyer në një bllokim më të ashpër në zonat ku shkalla e infeksionit mbetet relativisht e ulët.

Një sondazh i fundit, megjithatë, tregoi se më shumë njerëz ishin përsëri në favor të kufizimit sesa lehtësimit të tyre.

Sipas një sondazhi nga transmetuesi ZDF, 36% duan të shtrëngojnë masat ndërsa 31% duan të mbajnë kufizimet aktuale./ATSH