Omicron së shpejti mund të shkaktojë mbi gjysmën e infeksioneve COVID në Evropë

0
235

Agjencia e Shëndetit Publik të Bashkimit Evropian tha të enjten se varianti Omicron mund të jetë përgjegjës për më shumë se gjysmën e të gjitha infeksioneve COVID-19 në Evropë brenda pak muajsh, shkruan “Reuters”.

Vlerësimi mund t’i japë peshë informacionit paraprak në lidhje me transmetueshmërinë shumë të lartë të variantit Omicron, mbi atë të variantit Delta, i cili para Omicron konsiderohej si më ngjitësi nga llojet kryesore të koronavirusit.

“Bazuar në modelimin matematikor të kryer nga ECDC, ka indikacione se Omicron mund të shkaktojë mbi gjysmën e të gjitha infeksioneve SARS-CoV-2 në BE/EEA brenda disa muajve të ardhshëm”, tha në një deklaratë Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Nuk ka asnjë provë përfundimtare në lidhje me transmetueshmërinë e Omicron deri më tani, por personi kryesor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për COVID-19, Maria van Kerkhove, tha të mërkurën se agjencia pritet të ketë të dhëna për këtë brenda disa ditësh.