Gjermania në zi, 81 viktima e mijëra të zhdukur nga përmbytjet

0
923

Katastrofa e përmbytjeve të pazakonta në Gjermani, ka gjunjëzuar një popull të tërë përballë fuqisë natyrore. Janë deri më tani 81 viktima nga reshjet masive. Mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe fati i tyre nuk dihet.

Bilanci përfundimtar, mund të jetë ai i një skenari post-apokaliptik!

Neuenahr-Ahrweiler është rajoni më i goditur. Qindra operacioni shpëtimi janë zhvilluar. Mijëra të tjerë priten.

Shpresat nuk duhen humbur për situatën e rëndë në shtetin që cilësohet si superfuqia e dytë në botë. Por, duhet të kthehesh shumë vjet pas për të dëshmuar një katastrofë të të tillë niveli në Gjermani.

Kancelares Angela Merkel iu desh të dëshmojë nga përtej oqeanit situatën. Ajo ndodhet në një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, ku ka zhvilluar takime edhe me presidentin amerikan, Joe Biden.

“Zemra ime është me të gjithë ata që në këtë katastrofë, kanë humbur më të dashurit”, tha ajo nga foltorja e Shtëpisë së Bardhë.

Pas, nuk u lanë as qytetarët e Luksemburgut, Holandës dhe Belgjikës. Këta të fundit, po përballen gjithashtu me një situatë të tillë.

Pasuesi i Merkel-it në krye të Unionit Kristian-Demokrat, Armin Laschet, u gjend pranë vendeve të prekura. Mesazhet kryesore – përtej ngushëllimeve – ishin thirrjet e dëmeve që u janë shkaktuar natyrës.

“Duhet të veprojmë. Sa më parë. Kjo është një thirrje e natyrës për të marrë masa të përbashkëta vepruese mbi problemet e mjedisit”, deklaroi Laschet.

Pamjet kujtojnë skenarët e përmbytjeve të mëdha biblike. Sytë e botës janë drejtuar për nga gjermanët. Lutjet, po ashtu!