Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë informata për gjendjen e ujit në komunën e Deçanit.
Nga kërkimet që janë bërë ka rezultuar se në kaptazhën e Drenocit janë izoluar vlera të shtuara të bakterieve koliforme dhe E.coli, prandaj edhe është deklaruar jo i pijshëm.
“Në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF, në laboratorët e IKShPK-së në Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie jo patogjene. Këto baktere mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm, kurse në kaptazhën e Drenocit janë izoluar vlera të shtuara të bakterieve koliforme dhe E.coli”, thuhet në raport të IKSHPK-së.
“Më datë 15 Korrik 2021 është bërë analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike e tri (3) mostrave të ujit të pijes nga rrjeti i ujësjellësit, i cili i furnizon fshatrat: Prilep, Irzniq, Gllogjan – Komuna e Deçanit (burimi i Gurrave të Hasanagës). Në këto tre mostra sasia e klorit rezidual është 0.00”, thuhet më tej në këtë raport.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, bën të ditur se ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.
IKSHPK rekomandon:
- Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësinë e të dhënave për pacientët.
- Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Mjedisor në identifikimin e kyqjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
- Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës së Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale.
- Të bëhet furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje të ushqimit.
- Pas rikthimit të ujit në rrjet rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri.
- Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin.
- Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal për të pamundësuar kontaminimin dhe për të parandaluar epidemitë hidrike.
- Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojnë nyjat e kanalizimeve dhe të gjejnë pikat e dobëta në rrjet ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike.
- Të ndalohet dhe ndërpritet rreptësishtë kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit.
- Të aplikohet respektimi i zonave të sigurisë.
- Të bëhet pastrimi me tretje hiperklorike i kaptazhave dhe rrjetit shpërndarës.
- Të bëhet instalimi i klorizimit të vazhdueshëm.
- Të realizohet monitorimi i sforcuar i ujit në të gjithë rajonin.
- Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë.
Që nga e diela e 10 korrikut në komunën e Deçanit, rreth 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas simptomave të helmimit.
/Albanianpost