BE : Jo teste udhëtimi dhe karantinë për të vaksinuarit kundër COVID-19

0
457

Personat e vaksinuar plotësisht, që zotërojnë dokumente në përputhje me certifikatën dixhitale COVID të Bashkimit Europian, duhet të përjashtohen nga testet e udhëtimit ose karantina, 14 ditë pas marrjes së dozës së fundit, kjo është një nga pikat kryesore të propozimit të Komisionit Europian për të përditësuar rekomandimin për koordinimin e kufizimeve të lëvizjes së lirë në Bllok në përgjigje të COVID-19.

“Kjo duhet të zbatohet edhe për ata që janë shëruar nga një infeksion COVID-19 dhe kanë marrë një dozë të vetme vaksine”, tha eurokomisioneri Didier Reynders.

Sipas këtij propozimi, ata që janë shëruar duhet të përjashtohen nga testimi ose karantina, nëse zotërojnë certifikata vaksinimi në përputhje me Covid Pass ose nëse kanë një test negativ PCR, që sidoqoftë është i vlefshëm vetëm për 180 ditë.

“Për të siguruar unitetin e familjes të miturit që udhëtojnë me prindërit e tyre duhet të përjashtohen nga karantina, kur prindërit e tyre nuk duhet të bëjnë karantinë. Fëmijët nën moshën 6 vjeç duhet gjithashtu të përjashtohen nga testet e lidhura me udhëtimin”, sqaroi KE.

Për më tepër, është propozuar që të futet një “frenë urgjence” brenda BE-së për t’u marrë me variantet e reja, duke rivendosur masat kufizuese për udhëtime edhe për të vaksinuarit dhe të shëruarit, nëse situata epidemiologjike përkeqësohet shpejt ose nëse është raportuar një prevalencë e lartë e varianteve të COVID-19.

Në lidhje me vlefshmërinë e testeve, Brukseli propozon një periudhë standarde vlefshmërie: 72 orë për testet PCR dhe, kur pranohet nga një shtet anëtar, 48 orë për teste të shpejta të antigjenit./ATSH