Pse varianteve të Covid do t’u vendosen emra nga alfabeti grek

0
82

Variantet e koronavirusit do të emërtohen bazuar te shkronjat e alfabetit grek në vend të vendit të tyre të zbulimit, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë, një përpjekje kjo për të shmangur stigmën.

OBSH-ja ka emërtuar katër variante shqetësuese, të njohura për publikun si variantet e Mbretërisë së Bashkuar / Kentit (B.1.1.7), Afrikës së Jugut (B.1.351), Brazilit (P.1) dhe Indisë (B.1.617.2). Atyre do t’u jepen përkatësisht shkronjat Alpha, Beta, Gamma dhe Delta, për të pasqyruar rendin e zbulimit. Çdo variant i ri do të ndjekë këtë model.

Vendimi për të shkuar në këtë sistem emërtimi erdhi pas muajsh diskutimesh me ekspertë duke marrë parasysh një sërë mundësish të tjera, si perënditë greke. OBSH tha se emërtimet e reja nuk zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë që përfshijnë numra, shkronja romake dhe pika, të cilat përcjellin informacion të rëndësishëm shkencor dhe do të vazhdojnë të përdoren në kërkime.

“Ndonëse kanë avantazhet e tyre, këta emra shkencorë mund të jenë të vështirë të thuhen dhe kujtohen dhe janë të prirur për t’u raportuar keq. Si rezultat, njerëzit shpesh u referohen si variante të vendeve ku janë zbuluar, e cila është stigmatizuese dhe diskriminuese. Për të shmangur këtë dhe për të thjeshtuar komunikimet publike, OBSH inkurajon autoritetet kombëtare, organet e medias dhe të tjerët të miratojnë këto emërtime të reja.”

Historikisht, sëmundjet janë emërtuar përgjithësisht sipas vendndodhjeve ku zbuloheshin, të tilla si virusi Ebola, i cili e ka marrë emrin nga lumi në Kongo. Sidoqoftë, këto emërtime mund të jenë të dëmshme për vendet dhe shpesh janë të pasakta, siç është rasti me “gripin spanjoll” të vitit 1918, origjina e të cilit nuk dihet.

Krimet që nxiten nga urrejtja ndaj aziatikëve janë rritur si rezultat i pandemisë dhe faktit që Covid u zbulua për herë të parë në Wuhan, Kinë.

Burimet: Guardian, CNN