3435 shqiptarë emigruan në Finlandë 6 vitet e fundit, 20 % nga Shqipëria

0
49

Finlanda, – në cepin më verior të Europës, – nuk duket aq destinacion emigrimi i preferuar për shqiptarët, por statistikat tregojnë një realitet pak më ndryshe. Qysh nga viti 2015 deri në Janar 2021, – pra, muajin e shkuar, – numërohen 3 mijë e 435 shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi nga Migri – Shërbimi Finlandez i Emigracionit. Arsyet e emigrimit kanë qenë për punë, shkollim dhe bashkim familjar.

Nga Shqipëria janë 20.4 përqind, ndërsa nga Kosova janë 79.6 % e atyre që u vendosën në Finlandë prej vitit 2015. Shqiptarët përbëjnë rreth 3-4 përqind  e numrit të të huajve qe kanë mbërritur në këtë vend gjatë kësaj periudhe.

Ky numër mund të ishte edhe më i lartë nëse Migri nuk do të kishte refuzuar kërkesat e 1412 shqiptarëve. 378 ishin nga Shqipëria dhe 1034 nga Kosova. Pavarësisht se nuk janë publikuar shpjegime mbi arsyet e refuzimit, në rastet e njohura kanë qenë kryesisht probleme me dokumentacionin e kërkuar dhe në pak raste mosdërgimi i tyre në afatin e dhënë nga autoritetet.

Nga periudha 2015-2021, viti me numrin më të lartë te lëvizjes së shqiptarëve drejt Finlandës ishte 2019, kur pati një bum projektesh në infrastrukturë dhe rritje të lartë të kërkesës për punëtorë. Lejet e punës të dhëna gjatë këtij viti janë edhe objekt hetimi në Finlandë, pasi disa shqiptarë nga Kosova kanë denoncuar në media se kanë paguar deri në 6 mijë Euro tek punëdhënësit ose sekserët e tyre që të mund të pajiseshin me viza.