Grenell: Unë s’e rrëzova Qeverinë Kurti – s’paguhem nga Serbia

0
423
US ambassador to Germany Richard Grenell awaits the arrival of US Secretary of State Mike Pompeo (not in frame) at Tegel airport in Berlin on May 31, 2019. - The US top diplomat is on a European tour that will take him to Germany, Switzerland, The Netherlands and Britain. (Photo by Odd ANDERSEN / AFP) (Photo credit should read ODD ANDERSEN/AFP/Getty Images)

Ish i Dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ai nuk kishte gisht në rrëzimin e “Qeverisë Kurti 1” në mars të 2020-ës.

“Ata kanë kalkuluar që pa mbështetjen amerikane do të duhej të merrnin vendime politike. Unë kurrë nuk kam sugjeruar ndonjë vendim politik. Ata kanë marrë ato vendime politike pasi që unë ia kam bërë të qartë se Administrata Trump nuk mund të mbështesë asnjë program derisa tarifa 100% është në fuqi”, tha Grenell të enjten nga pika kufitare Kosovë-Serbi në Merdare të Podujevës.

“Unë nuk punoj më për qeverinë amerikane, këtu kam ardhur si qytetar privat”, theksoi amerikani kur u pyet se pse qëndroi në Prishtinë për dy ditë.

Në kryeqytetin e Kosovës ai mohoi se ka takuar ndonjë politikan.

“Kisha takime me njerëz të sektorit privat dhe të ekonomisë”.

Kumbara i marrëveshjes së famshme për normalizimin ekonomik të raporteve Kosovë-Serbi, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, thotë se ndihet i frustruar.

Sipas ish-emisarit në terren nuk po zbatohen pikat e ujdisë. Ajo për energjinë ka rëndësi specifike për Washingtonin, sipas tij.

“Ajo çka pamë nga qeveria aktuale është refuzimi i parave amerikane për të pasur gaz të pastër i cili është më i lirë se qymyri ,pra energji shumë më e lirë për qytetarët e Kosovës dhe kjo do të ishte shumë më e shëndetshme që të lëvizet drejt atij sistemi. Refuzimi i qeverisë aktuale për vendosjen e gypave të gazit nuk është veprim i mirë për popullin e Kosovës”.

Ndërkohë ka pranuar se ka kontaktuar ish-presidentin Hashim Thaçi i cili ndodhet në Hagë ku po mbahet në paraburgim pranë Gjykatës Speciale.

“Kam folur me ish-presidentin Thaçi, sistemi i drejtësisë duhet ta kryejë punën e tij. Unë do të dëshiroja që ata të jenë më të shpejtë në kryerjen e punëve të tyre. Është turp që për të arritur në këtë pikë u deshën njëzet vjet. Gjykata Speciale është shumë politike. Ata e panë se ne po shkonim drejt një ujdie”.

Diplomati 55 vjeçar ka mohuar se është lobist i Serbisë.

“Kjo është e tëra e pavërtetë dhe lajm i rrejshëm”, theksoi Grenell.