Shoqata “Opoja” nga Wels i Austrisë ndihmon QKMF-në në Dragash

0
53

Bashkatdhetarët gjithmonë i kanë qëndruar afër vendlindjes, dhe një gjë e tillë e dëshmon edhe donacioni që është dërguar për nevoja të QKMF ”Adem Berisha” në Dragash, nga Shoqata humanitare ”Opoja” nga Wels i Austrisë, njofton albinfo.at.

Arsyeja e sjelljes së këtij donacioni, sipas përfaqësuesit të kësaj shoqate, Endrit Halimi, është nevoja që ka ky institucion shëndetësor për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për bashkëvendësit e tyre. Ai tregon se pajisjet janë siguruar nga bashkatdhetarë jo vetëm nga Austria, ndërsa iniciativës së tyre i është bashkuar edhe organizata ”Rumanienhilfe Gunskirchen”, raporton opoja.net.

Këtë donacion të bashkatdhetarëve e vlerësoi tejet të rëndësishëm për funksionimin sa më të suksesshëm të KPSH në këtë komunë, drejtori i QKMF ”Adem Berisha”, Ramadan Jashari, dhe atë në momentin më të duhur në prag të hapjes edhe të Shërbimit të Urgjencës.

Ndryshe, donacioni i dërguar nga Shoqata “Opoja” përmban: 31 shtretër spitalorë, 6 të tjerë mjekësorë, 2 barela, 16 tavolina anësore, 39 karrige me rrota, 18 dyshekë dhe një biçikletë. Përfaqësuesit e shoqatës ”Opoja” thanë se edhe në të ardhmen nuk do të mungojnë iniciativa të këtilla për të ndihmuar vendasit e tyre në këtë komunë.