Edhe nënë edhe baba

0
285

Tetë vjet më parë ajo vendosi t’i jap fund martesës së saj 10 vjeçare. Pesë vjet pas divorcit e hapi organizatën e parë në Kosovë që u dedikohet prindërve të vetëm.

Arjeta Gashi, udhëheqësja e shoqatës “Shoqata e Prindërve të Ndarë”, pasi përfundon orarin e rregullt të punës, pasditet i kalon në zyrën e saj nëDragodan të Prishtinës. Kryesisht aty pret nënat vetushqyese, të cilat këtë e kanë adresën e vetme për të kërkuar ndihmë e këshilla.

Kur Arjeta kishte vendosur t’i japë fund martesës, ishte ndjerë e pambështetur dhe e vetme. Përveç se po kalonte në një periudhë të vështirë emocionale, mbi supe i rëndonte edhe tabuja e divorcit.

“Mungesa e informacioneve ta vështirëson depërtimin në çdo aspekt. Informatat e gabuara të qojnë drejt rrugës së gabuar. Kjo ka qenë njëra prej arsyeve pse e kam themeluar shoqatën”, rrëfehet Arjeta për revistën ZA.

Një martesë e përfunduar dhe vështirësi të panumërta me proceset e divorcit ishin sfiduese për një grua e cila s’po gjente mbështetje tek sistemi gjyqësor.

“Kam filluar procedurat e divorcit por e mangët në informacione. Deri tek vendimi nuk mund të them se ka qenë e thjeshtë mirëpo procesi formal i divorcit ishte edhe më i vështirë. Lufta ka filluar me sistem të drejtësisë. Vështirë më është dukur duke mos e pritur se tani duhet filluar një luftë tjetër me drejtësinë për drejtësi”, thotë ajo.

Këtu nis edhe rrëfimi i saj.

Ajo ishte nënë e një djali, që në kohën e divorcit ishte vetëm 10 vjeçar. E vendosur për t’u ndarë nga bashkëshorti, ajo kishte vrapuar çdo ditë në gjykatë dhe kishte arritur që procesin e divorcit – që në të shumtën e rasteve zgjatë me vjet – ta përfundonte për tre muaj.

“Jam rasti i vetëm në organizatë, përfshirë nënat që i kemi këtu, që e kam përfunduar brenda tre muajve. Nuk zgjat tre muaj, zgjatë 5 e 6-të vjet. Kam bërë çdo lloj presioni për ta përfunduar sa më shpejt. E kam ndjerë të nevojshme për ta përfunduar martesën formalisht”, tregon Arjeta.

Kujdestaria e djalit as që ishte diskutuar në mes saj dhe ish-burrit gjatë procedurave gjyqësore të divorcit. Ishte nënkuptuar me automatizëm se fëmija i të dyve do t’i takonte asaj. Ai as që kishte dashur të merrte ditë kujdestarie për të birin.

Dhe kështu ndodh rëndom. Nënat janë ato që marrin kujdestari të plotë për fëmijët, përderisa baballarët nuk diskutojnë në gjykatë për këtë çështje.

“Vetëm pesë prej nënave qe i kam në organizatë e kanë diskutuar me ish-bashkëshortët e tyre kujdestarinë e fëmijëve. Por kur ka ardhur puna te gjykata, vetëm një prej tyre ka insistuar ta marrë fëmijën. Në Kosovë, baballarët heqin dorë kur vjen puna te kujdestaria. Konsideroj se baballarët kanë nevojë ose mendojnë se duhet të jenë të lirë nga përgjegjësitë”, deklaron Arjeta, bazuar në përvojën e saj me nënat e vetme në organizatë.

“Babai s’ka shprehë interesim për me pasë kontakt me të”, thotë tutje Arjeta. “Mbanë raporte vetëm me gjyshen e tij. Ka një lidhje të veçante edhe me njërën nga hallat e tij, e të tjerët nuk janë të interesuar”, përfundon ajo, duke shtuar se ka insistuar që i biri i saj të mbajë kontakte me të atin.

Emocionalisht një divorc është sfidues. Por kur kësaj i shtohet edhe barra financiare për kujdesin ndaj fëmijëve, bëhet e papërballueshme për nënat vetushqyese. Nga të dhënat e shkurorëzimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019, vetëm 5% e baballarëve të shkurorëzuar kanë marrë kujdestarinë e fëmijëve, krahasuar me 17% të nënave. [1]

Në këto raste, përveç barrës për kujdesin ndaj fëmijëve që bie tërësisht mbi shpatullat e grave, problematike mbetet mbështetja financiare nga ana e babait. Alimentacioni apo kuota e mjeteve financiare që detyrohet t’a paguajë një prind për fëmijën pas divorcit, në Kosovë paraqet sfidë.

Ndonëse me ligjin e familjes përcaktohet qartë se “përgjegjësia prindërore përfshin të drejtat dhe detyrat që kanë për qëllim të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës dhe se prindërit janë të detyruar të ofrojnë mbajtje financiare për fëmijët e tyre të mitur”[2], në të shumtën e rasteve alimentacioni nuk paguhet nga baballarët, edhepse vendoset me vendim të gjykatës.

“Caktimi i alimentacionit/ushqimisë bëhet pa formulë. Gjykatësit e caktojnë vetëm sipas praktikave, njëri gjykatës duke u bazuar në vendimet e gjykatësit tjetër. Gjykatat nuk marrin mundin për të vërtetuar të hyrat që i kanë baballarët, e ata i fshehin të ardhurat. Alimentacioni caktohet me vendim të gjykatës dhe aty përfundon gjithçka, ndonëse ai nuk paguhet kurrë”.

Vetë Arjeta, nga momenti i divorcit nuk ka pranuar asnjëherë alimentacion për të birin. Atij i ishte caktuar shuma prej 130 eurosh, ndërsa sipas saj kjo s’ka përkuar me të ardhurat mujore të tij. Ndonëse vendimi i gjykatës është i obligueshëm për ish-bashkëshortin e saj, Kosova nuk ka një sistem që e monitoron këtë proces dhe nënat ngelen të vetme në rritjen e fëmijëve, edhe financiarisht.

“Kosova nuk e ka të rregulluar sistemin e tërheqjes së mjeteve me automatizëm prej llogarisë e as nuk ekziston mundësia e pagesës nga vetë shteti siç është në vendet tjera të botës, ku pagesa e alimentacionit paguhet nga buxheti shtetëror dhe më pas shteti procedon direkt me prindin që duhet ta paguajë alimentacionin, meqë konsiderohet një borxh/obligim financiar ndaj shtetit ku jeton”.

E drejta e alimentacionit njihet edhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve dhe ata janë të mbrojtur edhe me ligj në këtë aspekt. Prandaj e tëra që i mbetet një prindi që është kujdestar i vetëm, është të ndjekë rrugë të tjera gjyqësore.

Në rastet kur nuk paguhet alimentacionit e drejtë ligjore është parashtrimi i kërkesës për përmbarim por edhe në këto raste zgjatë me vite. Personalisht kam dërguar lëndën për përmbarim një vit më parë dhe nuk jam në dijeni se ku ka mbetur dhe çfarë ka ndodhur me të”, thotë Arjeta.

Gjatë tërë kësaj kohe ajo ka gjetur mbështetje morale e edhe financiare te familja. Kur u nda nga burri, doli nga shtëpia ku jetonin bashkë pa asgjë. Banesën e përbashkët e kishin blerë prindërit e ish-bashkëshortit, por hapësirën e kishte mobiluar tërësisht vetë ajo.

“Kam dalë nga zero edhe jam fut në minus. Nuk i kam marrë gjërat sepse nuk ka lejuar. Kam pasur 15 ditë afat për t’i marrë gjërat e mia personale mirëpo nuk ka bashkëpunuar, sepse do t’i kishte mbetur banesa e thatë. Më është dashur të shkoj me polici edhe nuk kam dashur t’i shtoj ekstra shqetësime djalit”.

Megjithatë, beteja për t’iu njohur kontributi financiar në martesë ka zgjatur përplot gjashtë vjet. Madje, herën e parë padia për t’iu njohur kontributi – meqë ajo edhe kishte punuar vazhdimisht – i ishte refuzuar pa asnjë arsyetim valid. Dhe mbi të gjitha, procesi ishte i stërgjatë.

“Deri në 20 seanca gjyqësore janë mbajtur për ndarje të pasurisë, thuajse kam bërë ndonjë krim!”, thotë Arjeta, derisa po shfletonte shkujdesur një libër që i ndodhej në tavolinën e zyrës.

“Mua më është refuzuar kërkesë-padia në tërësi. Thjesht aty shkruan: ne nuk e kontestojmë kontributin tënd, por të refuzohet padia kaq. Më është thënë të vazhdoj në apel nëse dua. Është kthyer e rigjykuar përsëri dhe në fund prej mbi 100 mijë euro që unë e kam pasë kërkesë-padinë me dëshmi e të gjitha, mua më janë ndarë vetëm 5000 euro për 10 vjet martesë që i binte rreth 500 euro vitin e kanë llogaritur”, rrëfen ajo.

Këtë shumë simbolike të kontributit të saj e kishte pranuar, meqë kishte konsideruar se nuk ka më kohë të vrapojë nëpër gjykata sepse djalin e kishte në një moshë delikate. Përveç të tjerash, financiarisht kjo procedurë ishte dërrmuese meqë avokatët kosovarë kanë tarifa të shtrenjta krahasuar me standardin e jetës në Kosovë.

“Problem tjetër në vendin tonë është edhe pagesa e avokatëve. Tarifat e tyre janë enorme. Përveç kësaj mungon edhe përfaqësimi i denjë nga avokatët meqë të njëjtit apo të njëjtat kanë për qëllim vetëm përfitimet e tyre pa u përpjekur të kryejnë detyrat që i marrin përsipër”, ankohet ajo.

Ajo e kishte bërë një zgjedhje në jetë dhe zgjedhja e saj ishte shoqëruar me paragjykime nga rrethi të cilit i përket. Por paragjykimet s’kishin ardhur vetëm në adresë të saj. Subjekt i “fjalëve nga rrethi” u bë edhe djali i saj, meqë ishte fëmija i një nëne të divorcuar.

“Paragjykimet duhet luftuar! E kemi identifikuar një fenomen tejet negativ dhe kryesisht në  nivel të shkollave të mesme që vjen nga vetë mësimdhënësit”, tregon Arjeta.

“Si organizatë jemi të vendosur dhe aspak tolerantë në shprehjet dhe veprimet e mësimdhënësve ndaj fëmijëve me prindër të divorcuar. Ata janë aty në rolin e pedagogut. Shqetësimet e këtij fenomeni i kemi raportuar te Drejtoritë Komunale të Arsimit por edhe te Ministria e Arsimit. Tani bashkë me këtë dikaster nga shtatori do të fillojmë monitorimin dhe raportimin e më pas edhe penalizimin e atyre që prekin mirëqenien e fëmijëve”, shpalos ajo.

Shoqatën për Prindër të Ndarë ajo e udhëheqë në baza vullnetare dhe ndihmohet edhe nga disa nëna të tjera. Mbështetje financiare marrin në mënyrë sporadike për ndonjë projekt që e realizojnë aty-këtu.

“Marrim mbështetje prej organizatave ndërkombëtare, fatkeqësisht. Po them kështu se prej atyre vendore nuk marrim, përfshirë institucionet. Përveç Agjencisë për Barazi Gjinore që është treguar shumë përkrahëse, institucionet tjera nuk kanë interes”.

Tetë vjet më parë, kur po e kalonte ndoshta periudhën më të vështirë të jetës së saj, s’e kishte parë të arsyeshme të harxhonte para në seanca psikologjike edhe pse sot konsideron se i kishte të domosdoshme. Megjithatë, për djalin ishte kujdesur që ai t’i merrte këto shërbime.

E nisur nga kjo eksperiencë personale, Arjeta ka luftuar që gratë e tjera të organizatës, të kenë qasje në shërbime psikoterapeutike pa pagesë.

“Falë bashkëpunimit të ngushtë me Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore kemi arritur që përmes GIZ-it gjerman të siguromë mjete financiare për t’ua mundësuar nënave të vetme shërbimin psikoterapeutik përmes psikologes Natyra Agani”, thotë me shumë krenari ajo.

Shoqata ka 167 gra, dhe vetëm dy burra. Ata janë baballarë vetushqyes dhe i janë bashkuar Arjetës në këtë mision. Si burra, ata po mundohen që të jenë shembull dhe po tentojnë që të ngrisin vetëdije për baballarët që nuk kanë marrë përgjegjësitë që u takojnë edhe me ligj.

“Nënat e vetme kanë një besim mbresëlënës. Ato gjithmonë dinë se çfarë të bëjnë dhe si t’ia bëjnë. Ato  përpiqen edhe kur gjërat janë më shumë të vështira. Ato nuk dorëzohen kurrë. Ato e dinë më mirë se të gjithë, që mbi të gjitha, dashuria e një nëne ndaj fëmijës është më se e mjaftueshme, andaj edhe japin shumë dhe më shumë për fëmijët e tyre”, shprehet Arjeta.

Të gjithë punën e aktivitetin e shoqatës Arjeta e ka zhvilluar nga zyra e saj e vogël në kryeqytet. Sapo futesh në këtë zyrë, ballëpërballë me derën kryesore ka një tabelë me mbishkrimin “të qenit prind i vetëm është dyfish punë, dyfish lot, dyfish përqafime, dyfish dashuri dhe dyfish krenari”.

Kjo ia kujton secilës grua që drejtohet për ndihmë se nuk është e vetme dhe se e ka përkrahjen dyfish edhe nga shoqata e Arjetës.