Sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, janë mbajtur homazhe për regjisoren e ndjerë, Burbuqe Berisha.
Në këtë ceremoni lamtumirëse morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Kurti në fjalimin para mediave ka lartësuar figurën e ish-drejtoreshës së TKK-së duke thënë se puna dhe veprat e saj kanë lënë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë.
“Erdhëm sot këtu në Teatër të cilin e deshi aq shumë dhe që kontribuoi gjithë jetën që t’ia japim lamtumirën e fundit regjisores Burbuqe Berisha. Qysh në kohën e okupimit të Serbisë e deri në ditët e fundit Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi i saj e puna e saj për teatrin dhe filmin tek ne lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë”.
Ndërsa ministri Çeku ndër të tjera tha që komuniteti artistik i Kosovës ka humbur një punëtore të palodhshme dhe shoqëria kosovare një qytetare aktive, që nuk është ndalur së punuari.
“Edhe në momentin kur po jepte frymën e fundit, Burbuqe Berisha ishte duke punuar me regjinë e koncertit të parë të Operës së Kosovës, brenda ambientit të Ministrisë së Kulturës. Ishte moment i trishtë, por ne do ta kujtojmë jetën dhe veprën e saj” shtoi ai.
Homazhe për regjisoren Berisha gjatë ditës bënë edhe pjesëtarë të komunitetit artistik, personalitete politike, qytetarë, familjar dhe miq.