Një deklaratë e nënshkruar nga 43 vende dënoi shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera nga autoritetet kineze kundër myslimanëve ujgurë dhe pakicave të tjera në provincën Xinjiang.
“Ka shkelje sistematike të të drejtave të njeriut, tortura, sterilizim të detyruar, dhunë seksuale dhe ndarje”, thuhet në deklaratën e lexuar nga ambasadori francez në OKB, Nicolas De Riviere.
”Pekini duhet të lejojë vëzhguesit e OKB -së qasje të papenguar në zonat e prekura”, tha ai.
Dokumenti u miratua të enjten nga 43 vende në një komitet për të drejtat e njeriut të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në mesin e nënshkruesve, përveç disa vendeve evropiane, janë edhe SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Turqia, Liberia dhe Esvatini.
Sipas diplomatëve, Kina ka ushtruar presion të madh mbi shumë shtete që të mos i bashkoheshin deklaratës.
Ndër taktikat e tjera, Pekini thuhet ”se ka kërcënuar vendet më të varfra që marrin mbështetje nga misionet lokale të OKB-së”.
Ekspertët dhe organizatat e të drejtave të njeriut vlerësojnë se deri në një milion ujgurë, kazakë, hui dhe anëtarë të tjerë të pakicave myslimane në Rajonin Autonom të Xinjiangut janë vendosur në ato që Pekini i quan “kampe riedukimi”.