Si e luftova kancerin e gjirit

0
1845

( Histori ime e guximshme )

Unë e di se si ndjehet çdo grua që ka marr këtë diagnozë.

E di se mijëra herë secila prej nesh e kemi pyetur vehten: pse unë, pse? ”

Por është gabim.

Për këtë psehin tonë, po e tregoj një ndodhi.

Kusheririt tim, gjatë një pikniku në Shkup, i kishte ikur djali i vogël,dhe kishte rënë në liqen.Ai vrapon, me bashkëshorten dhe menxi arrijnë ta nxjerrin të gjallë, për shkak të një balte që ka ai liqen.

Kur dalin nga liqeni me fëmijën, kusheriri im, i pyet të tjerët : “ku shkoi ai peshkatari që ma shpëtoi djalin ?”

Të pranishmit habiten me pyetjen e tij.

Ata e kishin parë gjendjen nga afër.

Ai e kishte nxjerr vet djalin, nuk kishte qenë askush brenda në liqen.

Por kusheriri im kërkonte peshkatarin, që nuk u gjet.

Ai edhe sot e kësaj dite tregon se djalin ia ka dhënë në duar një peshkatar.

 

Me këtë dua të them se nëse kemi dëshirë të jetojmë duhet të luftojmë.

E nëse luftojmë del besimi ynë e na ndihmon si ai peshkatari

 

Sëmundja dhe katastrofat nuk zgjedhin njerëzit.

Padrejtësisht janë ndarë edhe fati dhe fatkeqësia në këtë botë.

 

Si e zbulova kancerin tim?

 

Një gjëndërr të fortë sa një kokërr orizi e zbulova në gjirin e djathtë.

Bëra mamografi.

Diagnozën e kam marr nga një mjeke ruse.

Ma ka thënë si duke këndur.

Është disa centimetra , dhe keq për ty, më tha.

E mua mu duk, sikur më tha edhe disa cm të ndajnë nga vdekja.

Isha e re, mu duk se u zvogëlova, nuk kisha vend për kancer në jetën time.

I kërkova një gotë ujë.

Më solli një gotë të vogël plastike me pak ujë, të vokt bile.

Nuk kisha mund me ia kthy njejtë këtë sjellje, as asaj.

 

Vdekja është e sigurt për secilin njeri në planet, por deri atëhere duhet të jetojmë si heronj, pa na i varros shpresat mjekët, se nuk janë profet.

Edhe shikimi apo gjestika e mjekut luan rol në shëndet.

 

Kur dola prej aty, nuk dija kah t’ia mbaja.

U humba.

E kam thirr motrën e vogël, i kam thënë, kujdesu për vehten!

 

Para se të bëhesha operacion, kisha dëshirë që dhembjen ta shpreh shqip.

Kisha lexuar për një mjek në gazetë.

Dr. Fadil Azemi , në Bern.

E bëra një termin.

Na ka pritur në shtëpi.U takuam para derës së tij. Ai sapo u kthye nga puna.

Shpejt ma lexoi diagnozën.

Shërimi është i mundur, më tha.

Mandej dëgjuam lajmet e Kosovės.

Kur u ngrita me i shiku disa kristale Trepçe në një vitrinë , me gruan e tij , doktori erdhi e më tha ngadalë : “Hava,bashkëshorti yt po mërzitej shumë, po të siguroj se ti e mund këtë sëmundje, por bëhu më e fortë, hatri i tij, edhe nëse ka qenë i padrejtë me ty, fale”

Më ka ndihmuar edhe tutje dr Fadili,

nuk ia harroj kurr.

 

Në koridoret e spitalit universitar të Cyrihut më dukej se po ecja në funeralin tim.

Mjekët zviceran ishin tejet pesimist me diagnozën time.

Unë i dëgjoja mjekt, por më dukej se flisnin përmendsh, dhe vendosa për ti besu vullnetit dhe luftës që do të bëja.

Sepse luftëtari hyn në betejë për të fituar.

Mjekt e njohin profesionin e tyre, i kanë ilaçet më të mira, i dinë metodat e trajtimit, por ata nuk e njohin forcën individuale , se dinë sa ka potencial rezistues e shërues pacienti mbrenda vetes së vet.

Këtë ata kurr nuk kanë mundësi ta dijnë.

Dhjetë mjeke më rrethuan në dhomën e gjinekologjisë.

Unë në mes.

Herë ndihesha si në gjyq.

Herë si qengj i rrethuar me ujq.

Ato luftonin të më bindnin që të hiqja gjirin dhe veja një artificial, dhe më thonin: “ta paguan sigurimi”

Unë kategorikisht u thoja: ” i hjek të dytë, por nuk dua ndërhyrje ..”

Nuk më bindën dot.

Pastaj në mbrëmbje më thanë : “jo, nuk ka nevojë me u pre gjiri”.

Dhe kështu unë fillova të njoh edhe hijet e hileve.

Para operacionit e lexova letrën e kirurgut, ku shkruante : operacioni bëhet majtas.

O zot, sa gabime i mbulon dheu!

Doktor, i thash, djathtas, duhet!

 

Pra duhet të jemi syhapur.

Prandaj unë vendosa të bëhem një paciente e rëndë për mjekët.

Një mjek që nuk ka durim me pacient, ai nuk është kurr mjek, ai duhej të bëhet kasap.

Mjeku i mirë ta ven krahun e të thot me buzëqeshje: ” së bashku ia dalim “.

Pas operacionit e para që pashë ishte një orë.

E kuptova se qenkam gjallë, se mundem me shku në Kosovë.

Më mundoi narkoza, ujë me palomë. më ka dhënë bashkëshorti,fryma më zihej.

 

Kimioterapia e parë

 

Me një tren shkova deri në stacionin kryesor të Cyrihut, e me tjetrin deri në spital.

E  mora kimioterapin e parë.

Por gjatë ditës nuk vërejta asgjë.

Në mbrëmbje fillova të vjellë, të mos i ndjeja gjymtyrët, dhe e di se vetëm në banjo duhet të rrija.

Villja vetëm pse i shihja ngjyrat nëpër banesë.

S’kisha qetësi, vjellje çdo minutë.

Pastaj më kaploi një temperaturë e madhe.

Kujtova se është vdekja vet.

Por u zgjova në mëngjes.

Isha mirë.

 

I kisha flokët e gjata.

Në tri lokale në Cyrih, nuk mi prenë.Nuk prehen këto flokë të mira thonin, as lutjet nuk më bën punë, nuk kishin forcė, kanceri, emër i keq.

 

Çudi, kurr nuk më kishte thënë askush se kam flokë të mira, bile as bashkëshorti im, porse barra i ra atij,të mi shkurtojë. E ulur në banjo, i shihja vetëm lotët e tij kur binin në pllakat e keramikës.

Vetëm kur sëmuremi e kuptojmë rëndësinë e tjetrit, të shëndetit.

E kuptojmë se kemi pas edhe flokë të bukura.

 

Ishte keq, keq, keq, dhe shumë keq.

Kishte momente që gjendja emocionale ishte në shkallën e fundit.

Vdekja sillej nëpër mendime, në çdo cep.

Por një ditë vendosa të luftoj frikën brenda vetes.

Sepse frika i shkatrron edhe medikamentet që marrim.

Ka pasur njerëz që gjatë vizitave më lenin energji të keqe duke më tregu se kush ka vdekur, por shumica e miqve dhe fqinjëve janë kujdesur shumë, më kanë sjelll ushqim e guxim.

Jam falënderuese përjetë ndaj të gjithve, edhe bashkëshortit tim, për mbështetjen që më ka dhënë, ndërsa mbrenda vetes ka vuajt më shumë se unë.

 

Çdo tri javë një kimioterapi, ishte e vështirë.

Njëherë mjekt kërkuan të më vendosin një port, shkaku i venave.

Aty kam qajt si fëmijë.

Jo , u thash, mjaft respektova.

E durova diagnozën, dy operacionet, helmin e kimisë,  nuk mundem më.

S’dua të shoh më asgjë, as të dëgjoj asgjë, nuk dua as me pi, as me ngrënë, as me lexu, nuk dua port!

 

Ajo ka qenë dita më e rëndë, atë ditë kujtova se ishte fundi.

Por më ndihmuan infermieret.

E bën të pamundurën të më kthenin shpresën.

 

Nuk mund as të ecja.

Që nga e dyta terapi unë villja posa ma venin infuzionin.

Vjellje, vjellje, vjellje, më dukej se po e villja edhe jetën time.

 

Bile e mbështillnin infuzionin që të mos e shihja.

 

Villja edhe në rrugë.

Vetë shkoja,se bashkëshorti duhej të punonte.

Rrugët më dukeshin të zeza.

Njerzt më dukeshin të sëmurë.

Nuk i kam zgjedh ushqimet por fillova ti kushtoj rëndësi vitaminës C, lajmet nuk i përcillja, as gazetat.

Janë dy rrugë më pat thënë një mike, shëndeti dhe sëmundja.

Nëse bëhesh me shëndetin e mund sëmundjen.

A do të mbijetoj dimrin, a do pres pranverën me lule, shumë herë e kam pyetur vehten , por luftoja, lodhesha, vazhdoja,…

Leximi më ndihmonte.

 

Kimioterapia pastron trupin por jo shpirtin që e kemi lodhur.

Prandaj fillova të kujdesem për veten.

Në spital shihja njerëz pa flokë.

Të gjithë të frikësuar.

Pa flokë, pa gjumë.

Në sy u rrinte varur vdekja.

Nuk doja të dukesha ashtu dhe vishesha mirë, lexoja.

Mbaja parukë, ndojherë veç kapele.

E lodhur isha tepër.

Rrezatimin e kam kaluar mirë.

 

Një ditë e veçant

 

Isha duke udhëtu për te spitali dhe në tren e pashë se duhet të merrja një terapi të gabuar.

U mërzita shumë dhe kritikova.

Po atë ditë pas rengelit , mjekja e thirri dikend nga stafi i spitalit dhe me pëshpëritje po u thoshte se ma kan lodhë me kimi mëlqinë.

Kjo më shqetsoi shumë.

 

E di edhe mjekët janë njërëz.

Edhe ata lodhen, mërziten, shqetsohen, dhe ndojherë flasin pa menduar se me fjalët e tyre e rrezikojne deri në vdekje jetën e pacientit.

Ndodhë që mjeku të thot : shumë keq, shumë keq, e nuk është ashtu diagnoza yte, por ai është i habitur vet.

 

Kështu ka vdekur motra ime moshën 46 vjeçare në Spitalin e Intenzivës në Prishtinë.Mjek e infermier flisnin për vdekjen e saj në prezencë të saj, deri sa e vranë me ato fjalë.

I kam mallkuar.

Mos lejoni që dikush të ju mbys me fjalë negative, fuqia e tyre është vdekjeprurëse.

Kanë kaluar 15 vite që nga sëmundja ime, dhe çdo vit i dërgoj spitalit një kartolinë.

U them se jam gjallë, sepse pesimizmin e tyre me vete se kam marr.

E di se letra ime kalon me buzëqeshje dorë më dorë nëpër spital.

Së pari vdes shpresa pastaj njeriu.

Mos e lejoni askend të ju vras shpresat.

 

Shëndet!

Hava Kurti Krasniqi