Tensionimi i situatës në veri të Kosovës, reagon NATO

0
1530

Pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, ku serbët lokal tash e pesë ditë resht po mbajnë të bllokuara rrugët që shpien te pikat kufitare me Serbinë dhe fluturimit të helikopterëve të ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, ka reaguar NATO.

Zëdhënësja e Aleancës Veriatlantike, Oana Lungescu, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se NATO u bënë thirrje  palëve që menjëherë t’i ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.

“NATO bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje Beogradit e Prishtinës të përmbahen, të shmangin veprimet e njëanshme e të kthehen në dialog. Mandati i KFOR-it mbetet për të garantuar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

 

Ndryshe, tre helikopterë të ushtrisë serbe, janë shfaqur në orët e pasdites së sotme në territorin e Serbisë, afër pikave kufitare me Kosovën.

Të njëjtit kanë qenë në qiell për disa minuta dhe kanë monitoruar situatën në pikat kufitare në Bërnjak e Jarinë.