Hajdari: Asnjëherë nuk është vonë për t’i paraqitur krimet seksuale para drejtësisë

0
52

Gjatë këtij muaji, Zoran Vukotiq u dënua me 10 vjet burgim për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, dhe atë nga një gjykatë vendore.

Prokurorja e kësaj çështje, Drita Hajdari, e cila është marrë nga afër me këtë rast, dhe ka takuar të mbijetuarën, flet për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) lidhur me atë si ka qenë kjo përvojë, për kontributin e saj në dënimin e Vukotiq si dhe për rëndësinë që krimet seksuale të raportohen e fajtorët të dënohen.

Dy dekada pas luftës, një i dënuar për krim seksual           

Në fillim të bisedës sonë, Hajdari sjell ndër mend se edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës në Kosovë, e pavarësisht pranisë dhe funksionimit të dy misioneve të fuqishme për sundimin e ligjit në Kosovë-UNMIK dhe EULEX, fusha e krimeve të luftës paraqet problem të madh për drejtësinë kosovare.

Me pranimin e rasteve të para, jemi ballafaquar me një situatë tejet të rëndë dhe me shumë sfida në fushën e krimeve të luftës, mirëpo, me shpresë  dhe vendosmëri që të gjitha këto probleme dhe pengesa të tejkalohen dhe të arrihet sjellja e kriminelëve të luftës para drejtësisë”, thotë Hajdari.

Krimet e luftës janë vepra penale që radhiten si krim kundër njerëzimit, të përcaktuara jo vetëm në Kodin penal të Kosovës, por edhe me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

“Në mesin e krimeve të luftës, dhunimi seksual nga natyra përbën një nga krimet më të rënda të mundshme që mund t’i përjetojë një qenie njerëzore”, thotë tutje ajo.   

“Këto krime i kanë kryer pjesëtarët e formacioneve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në format më të egra dhe poshtëruese. […]”

Takimi me të mbijetuarën dhe Dënimi i Vukotiq

Bazuar në gjithë këtë, Hajdari pohon se procedimin e rastit të Vukotiq e ka marrë si detyrë ligjore të një prokuroreje, por po ashtu edhe si përgjegjësi njerëzore.

Tutje, ajo tregon edhe përvojën e takimit me të mbijetuarën.

Në takimin e parë më të mbijetuarën jam përpjekur që të krijoj besimin dhe mbështetjen ligjore. Qysh nga fillimi jam kujdesur për mbrojtjen e identitetit të saj për t’i shmangur pasojat e mundshme nga stigma. Të mbijetuarës i kam shpjeguar që ajo nuk ka faj për atë që ka ndodhë. […]”, tregon Hajdari.

Hajdari e kishte marrë në pyetje të mbijetuarën në lokalet e një organizate për të drejtat e grave, ku ajo i ishte nënshtruar trajtimit nga ekipi profesional. Kështu, e mbijetuara u kursye nga shkuarja në prokurori, si dhe nga presioni i mundshëm.

Kurse, në gjykatë, procedura ishte zhvilluar pa prezencën e publikut, ku e mbijetuara ka dëshmuar, në praninë e avokates së saj dhe përfaqësueses së kësaj organizate.

“Si prokurore e çështjes i kam ofruar gjykatës dëshmi relevante me të cilat u vërtetua që ndaj kësaj të mbijetuare është kryer krimi dhe kush është autori i krimit”, thotë tutje Hajdari.

Duke pasur parasysh mënyrën  e kryerjes së dhunës seksuale gjatë luftës dhe pasojat e përjetshme të këtyre krimeve, prokurorja Hajdari konsideron se ky dënim vetëm deri diku mund t’i kompensojë dhimbjet dhe vuajtjet e të mbijetuarave.

“Lartësinë e dënimit nuk e përcakton prokuroria por gjykata, kështu që konsideroj që gjatë matjes së dënimit gjykata duhet t’i vlerësojë të gjitha rrethanat të cilat në bazë të ligjit ndikojnë në matjen e dënimit për veprën e kryer penale”, shton Hajdari, teksa flet për dënimin.

Të mos heshten krimet seksuale

Ne ndoshta edhe mund të pajtohemi që nuk ka asnjë dënim që mund të kompensojë këtë përjetim, e megjithatë, vënia e drejtësisë në vend, pas dy dekadash, mund të bëjë që të mbijetuarat e dhunës seksuale të marrin frymë më lirshëm.

Në këtë pjesë të bisedës, Hajdari tregon sa është më rëndësi që krimet e tilla të ndjeken, të ndëshkohen e kështu të njihet dhuna seksuale si strategji e përdorur gjatë luftës- e të mos mbetet edhe më tutje ndër krimet më të heshtura në vendin tonë.

“Ende nuk ka statistika reale për numrin e të mbijetuarave që kanë mbijetuar dhunën seksuale. Tashmë për disa të mbijetuara dihet, për disa me siguri kurrë nuk do dihet, për shkak se nuk janë të gatshme dhe nuk pranojnë të ballafaqohen me të kaluarën, nga frika dhe stigmatizimi në shoqëri dhe familje.”, thotë ajo.

Sipas Hajdarit, këto gra kanë nevojë për mbështetje të plotë, në radhë të parë nga familja e tyre si dhe shoqëria në tërësi.

“Ajo që ndodhi nuk ishte faji i të mbijetuarës. Ajo çfarë u ndodhi atyre ishte pjesë e strategjisë së armikut për pushtimin e territorit, për pastrimin etnik, e në veçanti urrejtje dhe poshtërimi ndaj gruas”, thotë Hajdari.

“Në këtë mënyrë [me dënimin e Vukotiq] gratë mund të ndihen më të lira dhe më të sigurta për dhënien e dëshmisë. Atyre ju garantohet mbrojtje plotë ligjore për mos zbulimin e identitetit të tyre”, kujton Hajdari.

Për fund, duke ditur se Rrjeti i Grave të Kosovës vazhdimisht ka bërë përpjekje për njohje dhe respekt për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe ka rreth të gjerë, duke përfshirë këtu edhe organizata anëtare që kanë punuar në këtë drejtim, Hajdari jep një mesazh për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe rëndësisë që ato të flasin e të dëshmojnë për përjetimet.

“Krimi është krim, dhe ai duhet të ndëshkohet, herët a vonë. Siç dihet këto vepra penale nuk parashkruhen, prandaj asnjëherë nuk është vonë për t’i paraqitur këto raste para organeve të drejtësisë, për ta përmbushur obligimin tonë moral dhe atë juridik ndaj të mbijetuarave, si dhe drejt sanksionimit të kryesve të këtyre veprave penale”, thotë Hajdari teksa përmbyll bisedën me RrGK-në.

Kujtojmë se në këtë rast ka kontribuar organizata anëtare e RrGK-së, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).