BE dhe NATO kritikojnë Bjellorusinë për uljen e detyruar të avionit të ”Ryanair”

0
55

Bashkimi Europian dhe NATO kritikuan ashpër Bjellorusinë për devijimin e avionit të pasagjerëve të kompanisë ”Ryanair” në Minsk në mënyrë që të arrestonte një aktivist bjellorus.

“Shumë i shqetësuar në lidhje me njoftimet për një ulje të detyruar të fluturimit ‘Ryanair’ në Minsk. U bëjmë thirrje autoriteteve të Bjellorusisë që menjëherë të lirojnë fluturimin dhe të gjithë pasagjerët e tij”, theksoi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në Twitter.

Ai theksoi se një hetim i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) mbi incidentin do të jetë thelbësor.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e quajti incidentin si “sjellje të egër dhe të paligjshme” dhe tha se do të ketë pasoja.

“Ata që janë përgjegjës për rrëmbimin e ‘Ryanair’ duhet të sanksionohen. Gazetari Roman Protasevich duhet të lirohet menjëherë”, shkroi ajo në Twitter, duke shtuar se Komisioni Europian do të diskutojë sot për këtë çështjen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se po monitoron nga afër uljen me forcë dhe ndalimin e figurës së opozitës Roman Protasevich.

“Ky është një incident serioz dhe i rrezikshëm që kërkon hetim ndërkombëtar. Bjellorusia duhet të sigurojë kthimin e sigurt të ekuipazhit dhe të gjithë pasagjerëve”, shkroi ai në Twitter.

Një avion luftarak bjellorus MIG-29 interceptoi avionin e pasagjerëve Boeing 737-8AS të kompanisë Ryanair duke kaluar nëpër hapësirën ajrore bjelloruse ndërkohë që po udhëtonte nga Athina në Vilnius.

Avioni i pasagjerëve u detyrua të ulej në Minsk për shkak të një kërcënimi për bombë. Sipas raporteve të fundit, në aeroport pretendohet se është arrestuar gazetari Roman Protasevich, të cilin autoritetet bjelloruse e akuzojnë për përfshirje në aktivitete të pretenduara terroriste.

Avioni i ”Ryanair” mbërriti në Vilnius, Lituani, me shtatë orë vonesë.

Protasevich është themeluesi i kanalit të informacionit të mediave sociale NEXTA, i cili luajti një rol të madh në protestat në kryeqytetin bjellorus Minsk verën e kaluar, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Alexander Lukashenko./ATSH