Në prag të ardhjes së mërgatës, Haradinaj kërkon lehtësimin e masave antiCOVID

0
55
????????????????????????????????????

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përgatitet për pritjen e bashkatdhetarëve nga qershori e tutje, duke i hequr kufizimet në gastronomi, për organizimin e eventeve duke përfshirë edhe hapjen e sallave të dasmave.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se qëndrimi i bashkatdhetarëve tanë në Kosovë duhet të jetë sa më pak i bezdisshëm dhe kthimi i tyre nga Kosova të jetë me kujtimet më të mira.

“Në Bashkimin Evropian dhe SHBA, ku ndodhet shumica dërmuese e mërgatës sonë, vaksinimi po shkon drejt përmbylljes. Që nga muaji qershor, fillojnë edhe pushimet e fëmijëve nga shkollat, kështu që nga qershori e deri në shtator, mund të presim ardhjen e bashkëkombësve tanë në Atdhe. Kosova duhet të jetë e përgatitur për ardhjen e familjarëve tonë. Shumica dërmuese e tyre do të jenë të vaksinuar kundër COVID-19, andaj, qëndrimi i tyre në vendlindje, duhet të jetë sa më pak i bezdisshëm dhe nga Kosova, ata duhet të kthehen me kujtimet më të mira”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Në Bashkimin Evropian dhe SHBA, ku ndodhet shumica dërmuese e mërgatës sonë, vaksinimi po shkon drejt përmbylljes. Që nga muaji qershor, fillojnë edhe pushimet e fëmijëve nga shkollat, kështu që nga qershori e deri në shtator, mund të presim ardhjen e bashkëkombësve tanë në Atdhe.
Kosova duhet të jetë e përgatitur për ardhjen e familjarëve tonë. Shumica dërmuese e tyre do të jenë të vaksinuar kundër COVID-19, andaj, qëndrimi i tyre në vendlindje, duhet të jetë sa më pak i bezdisshëm dhe nga Kosova, ata duhet të kthehen me kujtimet më të mira.

Për këtë arsye, Aleanca i propozon Qeverisë së Kosovës, masat me sa vijon: 1.Heqjen e plotë të ndalimit të qarkullimit; 2.Heqjen e kufizimeve të orarit të punës së gastronomisë; 3.Heqjen e kufizimeve të aktiviteteve për organizimin e eventeve, përfshirë edhe hapjen e sallave të dasmave. Këto masa, duhet të përcjellën me rregulla të reja për kujdes të shtuar shëndetësor si dhe monitorim më rigoroz përmes organeve përkatëse qeveritare e komunale.

Një qasje e tillë do të ndryshonte për të mirë edhe treguesit ekonomikë, në mungesë të instrumenteve të tjerë financiarë. Mërgimtarët si gjithherë, ashtu edhe nëse iu ofrohen kushte të mira për ardhjen e tyre në Atdhe, do të jenë infuzion i mirëpritur dhe i domosdoshëm për ekonominë tonë që gjendet në krizë të thellë.