Gjykata e Apelit vërteton vendimin e shkallës së parë në rastin “Faljes së Hidrocentraleve”

0
67

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për hudhje poshtë të një pjese të aktakuzës në rastin “Falja e Hidrocentraleve”, raporton Drejtësia Sot.

Kolegji në përbërje nga gjyqtarët Afërdita Bytyqi, Tomisllav Petroviq dhe Xhevdet Abazi, refuzoi si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ato të mbrojtësve të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjukaj, ndërsa e vërtetoi aktvendimi i Gjykatës Themelore Departamenti Special në Prishtinë, PS.nr.17/20 të datës 04.03.2021.

Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin PS.nr.17/20, kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi, Fllazna Hoxha dhe Arben Gjukaj, sipas pikës I, II dhe III. Ndërsa kishte aprovuar kërkesat për hudhje të aktakuzës të akuzuarve Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Berisha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu dhe Krenar Bujupi, për shkak të parashkrimit relativ të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të depozitave të procedurës penale, me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës, aktvendimin e ankimuar në pjesën e ankimuar ta ndryshoj dhe të refuzohen kundërshtimet për hudhje të aktakuzës si të pabazuara, ose të anulohet dhe çështja ti kthehet për rishqyrtim gjykatës se shkallës së parë.

Ndërkaq avokatët mbrojtës të të akuzuarëve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjukaj, ankesat i kishin paraqitur në drejtim të shkeljes se të drejtës kushtetuese për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, shkak të shkeljeve esenciale të dipozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që Gjykata e Apelit e Kosovës, të aprovoj ankesat si të bazuar, të ndryshoj aktvendimin e ankimuar, dhe të hudhë aktakuzën, apo aktvendimin e ankimuar ta anuloj dhe çështjen ta kthej në rigjykim dhe rivendosje.

Kurse Prokuroria e Apelit në Prishtinë kishte propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e PSRK-së mbi hudhjen e pjesshme të aktakuzës, ashtu që aktvendimi pjesën e ankimuar të ndryshohet për pjesen e ankimuar, dhe të refuzohen kundërshtimet për hudhjen e aktakuzës si të pabazuara, ose të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje, ndërsa ankesat e mbrojtëseve të të akuzuarve Besim Beqaj, avokati Besnik Berisha, Mimoza Kusari-Lila, avokati Florent Latifaj, Nenad Rashiq, avokati Ramë Gashi, Dardan Gashi, avokati Aranit Koci, Fllanza Hoxha, avokati Artan Qerkini dhe Arben Gjukaj, avokati Flamur Bllacaku, të refuzohen si të pabazuara.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nga Prokuroria Speciale se krahasimet që bëhen lidhur me cilësimin e veprave penale të përhershme janë të gabuara për faktin se koha e kundërligjshmërisë është duke vazhduar para dhe me tutje është në gjendje permanente sepse hidrocentralet e falura, as nuk janë kthyer e as nuk është kërkuar që të njëjtat të kthehen, nuk janë të bazuara. Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e atakuar ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me ndërmarrjen e veprimeve nga ana e të akuzuarve për të cilët e ka pushuar procedurën penale ndaj tyre, për faktin se të akuzuarit në këtë çështje penale kanë ndërmarr vetëm një veprim dhe atë në njërin nga takimet e bordit kanë vendosur për një çështje, mirëpo nuk kanë bërë veprime të vazhdueshëm për ta mbajtur kundërligjshmërinë gjallë për një periudhë permanente siç pretendon PSRK-ja.

Tutje sipas vlerësimit të kësaj Gjykate në aktvendimin e kundërshtuar, Gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar, rreth provave të kundërshtuara dhe drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme, duke u bazuar në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilën janë akuzuar të akuzuarit dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori special Atdhe Dema, të pandehurit Besim Beqaj- kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe L.F., anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Gjithnjë sipas aktakuzës këto hidrocentrale janë: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të tranferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore e ligjit për rregullatorin e energjisë elektrike.

Andaj me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese.

Sipas Prokurorisë Speciale, dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit.

Ndërkaq, e pandehura F.H., menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ( MZHE), Arben Gjuka, Drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), B.H., koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe i pandehuri K.B., anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Ndërsa, i pandehuri F.Ç, kryesues i Bordit të KEK-ut, M.R., A.N., F.K. dhe I.I., në cilësinë e anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe G.J., kryesues i Bordit të KKDFE-së, B.B., G.Sh., N.H. dhe A.A., anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktoj dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.