Mungon gjyqtari, anulohet seanca e rigjykimit ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren

0
26

Gjykata Themelore në Prizren, ka anuluar seancën shqyrtimit kryesor ndaj të akuzuarit Nexhmedin Musliu, i cili po gjykohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Drejtësia Sot, njofton se lajmin për anulimin e këtij gjykimi e ka konfirmuar zëdhënësi për informim dhe monitorim i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj.

Sipas zëdhënësit Lekaj, seanca e sotme është anuluar për shkak të mungesës së kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Xheladin Osmani, i cili për shkaqe shëndetësore sot nuk është paraqitur në gjykatore.

Ndryshe, inspektori i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit Nexhmedin Musliu, po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Kujtojmë se në seancën dytë të rigjykimit të mbajtur më datë 26 mars 2021, i akuzuari lartcekur i kishte mohuar akuzat e prokurorit të shtetit Mehdi Sefa.

Sipas aktakuzës, inspektori Musliu, po akuzohet që duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, në lagjen “Jeta e re” në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë për investitorët “Kastrati Comerc” dhe “Coneng”, u mundëson dobi 1 kat për investitorin e parë dhe 3 kate për investitorin e dytë, të cilët kate ishin pa leje për ndërtim.