Osmani përgëzon myslimanët që agjëruan Ramazanin

0
85

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka organizuar një iftar të përbashkët me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti dhe me krerët e Bashkësisë Islame.

Ajo ka përgëzuar besimtarët myslimanë që agjëruan muajin e Ramazanit, duke thënë se dëshmuan sakrificë dhe solidaritet, njofton Klan Kosova.

“Iftari është një darkë përbashkuese, në të cilën ka vend për të gjithë. Sonte bashkë me Prindonin, si dhe me krerët e institucioneve, Kryetarin Konjufca dhe Kryeministrin Kurti, pritëm në iftar krerët e Bashkësisë Islame me besimin e fuqishëm se feja në kontekstin tonë është harmoni, bashkëjetesë, solidaritet, besim dhe vullnet për të mirë”.

“I përgëzojmë të devotshmit që përgjatë këtyre ditëve patën kurajë ta dëshmojnë sakrificën dhe solidaritetin e tyre, dy vlera njerëzore që na shquajnë ndër breza. Nesër do të përmbyllet cikli i agjërimit, teksa një ditë më pas do ta urojmë njëri-tjetrin në kremten e Bajramit, me dëshirat më të mira për fat e mbarësi!”

“Me shpresën që Zoti të pranojë lutjet e të gjithë atyre që agjëruan në këtë muaj të shenjtë, uroj që ndjenja e solidaritetit me të gjithë qytetarët tanë të mbizotërojë përgjatë gjithë vitit”.