Murati flet për pensionet: Shtesa prej 30 eurosh ishte vetëm për tre muaj

0
407

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është deklaruar lidhur me vendimin e Qeverisë për shtesat e pensionistëve.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sipas vendimit të qeverisë së kaluar shtesat për pensionet bazike kanë qenë vetëm për tre muaj (janar, shkurt dhe mars).

“Nga pakoja e djeshme prej 20 milionë euro e miratuar në qeveri, pjesa më e madhe e saj, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistencë sociale. Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi”.

Murati ka thënë se kanë paraparë që personat që janë në kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro të marrin një shtesë që pensioni të jetë 100 euro dhe kjo shtesë të vazhdojë gjatë vitit.

“Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara. Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend. Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”.