Vogëlushi Bjord Sherifi ka nevojë për ndihmën tuaj

0
120

Bjord Sherifi, ka nevojë për ndihmën tuaj.

Vogëlushi ka probleme të mëdha shëndetësore.

Ai ka probleme me zemër ose si njihet në Kardiologji “D-TGA”, problem që ekziston tek një nga 10 mijë bebet e porsalindura.

Klan Kosova ka kontaktuar me familjen për të marrë detaje lidhur me rastin.

Babai Liridon Sherifi, foli për klankosova.tv lidhur me rastin.

Sherifi tha se djali i tij tani gjashtë muajsh kishte pasur një trajtim në Turqi.

“Me ndihmën e familjes dhe shtetit Kosovës e nisa djalin në Turqi ku pati dy operime në zemër. Në rastin e parë bëhej fjalë për zhvendosjen e dy arterieve kryesore të zemrës në një operacion ky zemra e tij ishte e ndalur për katër orë të plota ndërsa i gjithë operacioni zgjati 13 orë. Në rastin e dytë bëhej fjalë për vendosjen e një baterie apo siç njihet në mjekësi “Pacemaker” si suport për zemrën që nuk arrinte të përshtatej me ritmin e saj. Kjo ndodhi një muaj pas operacionit të parë”.

Ai thekson se vogëlushi ka ende probleme shëndetësore.

“Mbas tre muajsh mjekim në Turqi erdhëm në Kosovë, por Bjordi filloj përseri mos të ndjehet mirë. Tani gjindemi ne Spital në intenzive pediatri në Prishtinë. Pos meshirës së Zotit dhe mjekëve që po mundohen ta mbajn në jete nuk kemi asgjë tjetër perpara”.

“Gjendja e djalit tim u keqësua ditën e Shtune 20.03.2021 .

Zemra tij u dobësua përsëri kurse kësaj radhe problemi kryesor është infeksion i thellë në gjak që i ka prekur shumicen e organeve. Gjithashtu djali është i intubuar shkaku i mushkërive te dobëta si dhe i futur në gjendje kome nga mjekët”.

Babai shtoi se gjatë qëndrimit në Turqi, është ndihmuar edhe nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky fond e ka konfirmuar rastin për Klan Kosova.

“Ju njoftojmë se aplikimi është bërë me date 24.11.2020 për trajtim shëndetësor të pacientit Bjord Sherifi , referuar si rast urgjent nga ana e Klinikes së Neonatologjisë. Me datë 25.11.2020 institucioni ynë, bazuar në UA 03/2017 për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP) ka lëshuar fletëzotim/garancion me ç’rast pacienti ka mundur të fillojë trajtimin e menjëhershëm shëndetësor në institucionin të cilin e kanë përzgjedhur familjaret/përfaqësuesit e tij”.

“Të gjitha procedurat e vendimmarrjes sa i përket aprovimit të shumës financiare janë në përgjegjësi të Bordit Ekzekutiv për TMJISHP dhe bazuar në UA 03/2017. Shuma financiare do të aprovohet në momentin kur pala/pacienti sjellë raportin mjekësor apo fletëlëshimin me epikrizë si dhe raportin financiar përfundimtar nga institucioni i cili ka ofruar shërbimin e nevojshëm shëndetësor”.

Ndër të tjera Liridon Sherifi, i tha Klan Kosovës se po kërkon ndihmë për të birin e tij që sado pak të i përmirësohet gjendja në mënyrë të mund të niset jashtë shtetit për shërim.

“Djali është në gjendje të rëndë. Mjekët nuk po mund ta japin rekomandimin që Bjordi mundet me udhëtu, për shkak të gjendjes. Dhashtë zoti që djalit të i përmirësohet gjendja, sepse kështu as nuk po mundem ta dërgojë askund për shërim”.

Të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe ata që kanë mundësi ndihmën munden ta japin nëpërmjet xhirollogarisë në bankën TEB:

Swift code: TEBKXKPR,

IBAN: XK05 2017000188365980

Për çdo informacion shtesë kontaktoni babain Liridon Sherifi, 044/412-895.