Grigor Mendel, zbuluesi i parimeve bazë të trashëgimisë

0
243

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 58 me radhë e ka Grigor Mendel.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LVIII- Grigor Mendel

1822-1884

Grigor Mendel, sot është i njohur si zbuluesi i parimeve bazë të trashëgimisë. Ka qenë monark i padëgjuar austriak, por i dashuruar pas shkencës. Me kërkimet e shkëlqyera që bëri mbeti i pavdekshëm në botën shkencore.

Mendeli u lind në vitin 1822 në qytetin Hajcendorf, në atë kohë në kufirin e Perandorisë Austro-hungareze, ndërsa tani pjesë e Çekisë. Në vitin 1843 vajti në manastirin agustian, Brin , të Australisë (tani Bërno në Çeki). Në vitin 1847 u dorëzua prift. Në vitin 1850 dhe provime për t’u bërë mësues, por nuk fitoi. Notat më të ulëta i mori në lëndët e biologjisë dhe gjeologjisë. Pas kësaj, vajti në Universitetin e Vjenës, ku nga viti 1851 deri në vitin 1853 studioi për matematikë dhe për shkencat e natyrës. Kështu, Mendeli, edhe pse nuk fitoi të drejtën për t’u bërë mësues, nga viti 1854 deri në vitin 1868 u bë ndihmës mësues i shkencave natyrore në shkollën moderne të Brinskut.

Nga viti 1856, filloi të kryente kërkimet e tij të njohura për rritjen e prodhimit. Në vitin 1865 formuloi ligjet për trashëgiminë dhe i paraqiti gjatë leksioneve përpara Shoqatës së Historisë së Natyrës në Brin. Në vitin 1866 rezultatet e tij i shpalli në artikullin me titull “Eksperimente me hibride të rritura”, që i botoi në organin e shoqatës “Transaksin”. Tre vjet më vonë, po në këtë organ, botoi edhe një artikull tjetër. Ndonëse “Transaksi” nuk ishte organi i dëgjuar, megjithatë ai shkonte në bibliotekat e mëdha. Krahas kësaj, Mendeli, kopje të artikullit të tij ia dërgoi shkencëtarit të njohur, Karl Negelit. Ky e lexoi dhe iu përgjigj menjëherë Mendelit, por pa kuptuar rëndësinë e madhe të këtij artikulli. Pas kësaj, pothuajse për 30 vjet me radhë, mesazhet që sillte Mendeli në këtë studim, u harruan. Vepra e Mendelit u rizbulua kur tre shkencëtarë të ndryshëm,holandezi Hugo de Vris, gjermani Karl Korenc dhe austriaku Erih Fon Çemak, që punonin secili më vete, gjetën studimin e Mendelit. Secili prej tyre duke kryer eksperimente më vete, kishin arritur në zbulimet që kishte arritur Mendeli. Secili prej tyre, në literaturën përkatëse, kishin gjetur studimin e parë të Mendelit dhe ishin mbështetur në të. Puna e të tre shkencëtarëve ishte pothuajse e njëjtë. Të njëjtën vit, edhe shkencëatri anglez, Uilliam Bejston, pasi kishte gjetur artikullin e Mendelit ishte përpjekur të tërhiqte vëmendjen e shkencëtarëve të tjerë. Kështu, më në fund Mendeli arrti të vlerësohet me të drejtë si i pari, për një punë, që e meritonte prej kohësh, që në të gjallë të tij. Cilat janë faktet për trashëgiminë që u ngritën nga Mendeli? Para së gjithash, ai zbuloi ekzistencën e komponentëve bazë në të gjithë organizmat e gjalla, komponentë që sot quhen gjene. Nëpërmjet tyre karakteristikat trashëguese kalojnë nga njeri brez në tjetrin. Te bimët e eksperimentuara nga Mendeli, çdo karakteristikë vetjake, për shembull, ngjyra e farës apo forma e gjethes, përcaktohen nga dy gjene. Rritja e ndërsjellë trashëgon nga një gjen në çdo dyshe gjinore të gjenit. Mendeli zbuloi se në qoftë se dy gjenet e trashëguara janë të ndryshme (të themi, njeri gjen për farë të gjelbër dhe tjetri për farë të verdhë), atëherë normalisht do të zotërojë ndikimi i gjenit më të fortë (në këtë rast, gjeni me farë të verdhë). Krahas kësaj, gjeni më i dobët nuk zhduket, por mund të kalojë në trashëgiminë e bimës. Mendeli arriti në përfundimin se çdo qelizë riprodhuese, që është gameta, (që i përgjigjet spermatozoidit apo qelizave vezore te njerëzit) përmban vetëm një gjen nga çdo dyshe. Veç kësaj, sipas tij, pyetja për raste të pastra është se cili gjen nga çdo dyshe do të gjendet në gametën e dhënë dhe të transmetohet në bimën fillestare? Edhe pse pak të modifikuara, ligjet e Mendelit janë pikënisje e gjenetikës bashkëkohore. Si arrit Mendeli, ky dashurues i shkencës, të zbulonte me sukses parime kaq të rëndësishme e të mos vihej re nga një varg biologësh profesionistë e me emër përpara tij? Për fat, për eksperimente ai zgjodhi bimë të tilla që ngjyrat më të dukshme përcaktoheshin nga e njëjta formë e gjenit. Në qoftë se ato do të përcaktoheshin nga disa forma, puna eksperimentale e tij do të ishte mjaft e vështirë. Por, edhe fati nuk do ta ndihmonte në qoftë se ai nuk do të ishte eksperimentues pedant dhe i durueshëm, në qoftë se nuk do të dinte të bënte analiza statistikore gjatë kërkimeve të tij. Falë vetëm eksperimenteve të shumta (ai bëri prova me 21000 bimë të veçanta) dhe rezultateve nga analizat statistikore, që Mendeli të arrinte të nxirrte me sukses ligjet e tij. Ligjet e trashëgimisë janë me të vërtetë një sukses i rëndësishëm për dijet njerëzore, ndërsa gjenetika në të ardhmen do të gjejë një përdorim më të gjerë se deri më tani. Megjithatë, kur vendoset për klasifikimin e Mendelit në këtë libër, duhet marrë parasysh edhe një faktor: Arritjet e tij gjatë kohës kur jetoi mbetën të pa shënuara, ato u zbuluan më  vonë nga shkencëtarë të tjerë dhe ndokujt mund t’i duken si të panevojshme eksperimentet e shumta të kryera prej tij. Por, po ta respektojmë këtë argument, për Mendelin në përgjithësi nuk ka vend në këtë libër, siç nuk ka vend edhe për rastet e Lif Eriksonit, Aristrahut dhe Ignac Zemelvajcit, vendet e të cilëve i kanë marrë Kolombi, Koperniku dhe Xhozef Listeri. Megjithatë, ka ndryshime ndërmjet Mendelit dhe tyre. Kërkimet e tyre u harruan dhe vetëm pasi u zbuluan, menjëherë u bënë shumë të njohura. Veç kësaj, De Vris, Korenci dhe Çemaku, edhe pse të pavarur nga njëri-tjetri kishin arritur në përfundimet e tyre duke respektuar dhe duke u mbështetur në eksperimentet e Mendelit. E së fundi, nuk mund të thuhet se zbulimet e Mendelit nuk do të ndikonin po të mos ishin De Vrisi, Korenci dhe Çermaku. Studimi i Mendelit ishte përfshirë në një tirazh të madh të bibliografive për trashëgiminë. Shpejt a vonë, ndonjë shkencëtar tjetër me siguri që do ta zbulonte. Duhet kujtuar se asnjeri nga këta tre shkencëtarë nuk ka pretenduar që të kërkojë meritën për zbulimin e gjenetikës. Të gjithë shkencëtarët e lartpërmendur përulen përpara parimeve të nxjerra nga Mendeli. Në gjithë botën këto parime quhen “Ligjet e Mendelit”. Sipas rëndësisë dhe origjinalitetit, këto parime mund të krahasohen me zbulimin e qarkullimit të gjakut të Harvit dhe për këtë Mendeli është klasifikuar në këtë vend në libër.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Maks Plank.