Hipoteza e këtij personaliteti iu kundërvu teorisë klasike për dritën dhe elektromagnetizmin

0
125

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 59 me radhë e ka Maks Plank.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr LIX- Maks Plank

(1858-1947)

Në dhjetorin e vitit 1900, shkencëtari gjerman Maks Plank e rrëqethi botën shkencore me hipotezën e tij të guximshme se energjia që rrezaton (energjia e valëve të lehta), nuk rrezaton si një rrjedhë e pandalshme,  por se përbëhet nga thërrmijëza të vogla,  që ai i quajti kuante. Hipoteza e Plankut, që iu kundërvu teorisë klasike për dritën dhe elektromagnetizmin, është pikënisja e teorisë kuantike që solli ndryshime rrënjësore në fizikë dhe forcoi dijet tona për natyrën e materies dhe për radioaktivitetin.

Planku u lind në vitin 1858 në Këln të Gjermanisë. Ai studioi në universitetin e Berlinit dhe të Mynihut. Në moshën 21-vjeçare mbrojti doktoraturën për fizikë. Në këto universitete dhe më vonë në atë të Këlnit mbajti leksione. Në vitin 1889 u  bë profesor në Berlin. Aty punoi deri në vitin 1928, kur doli në pension në moshën 70 vjeç. Si dhe shumë shkencëtarë të tjerë, Planku u interesua për rrezatimin në trupin  e zi, veçanërisht për radiacionin elektromagnetik, që e rrezaton plotësisht trupin e zi kur ai është i ngrohur. (Trup plotësisht i zi është ai trup që nuk e reflekton, por e thith komplet gjithë dritën që bie rreth tij ). Fizikanët eksperimentues,  qysh para se  të  merrej Planku me këtë problem, kanë kryer matje të kujdesshme të ndriçimit në trupa të veçantë. Arritja e parë e Plankut ishte zbulimi i formulës argjebrike jashtëzakonisht të vështirë,  me anën e së cilës përcaktohet drejt radiacioni në trupin e zi. Kjo formulë është shfrytëzuar shpesh në fizkën teorike dhe është shfrytëzuar shumë mirë për përgjithësimin e të dhënave eksperimentale. Megjithatë, ka patur një problem: ligjet e njohura fizike të shpinin në një formulë krejt tjetër.

Planku mendoi thellë për këtë problem dhe më vonë parashtroi një teori krejtësisht të re: energjia që rrezatohet, rrezatohet vetëm në sasi të sakta ë thërrmijëzave elementare që janë kuantet. Sipas kësaj teorie, madhësia e një kuantie drite varet nga dendësia e saj (që do të thotë nga ngjyra e vetë) dhe i përshtatet sasisë, që Planku e quajti me h. Kjo sasi është quajtur konstantja e Plankut. Hipoteza e tij ishte në kundërshtim me pikëpamjet e përhapura deri atëhere në fizikë, por, kur e zbatoi atë, ai arriti me sukses në formulën e saktë për radiacionin në trupin e zi. Ideja e Plankut ishte aq revolucionare, sa që me siguri do të ishte hedhur poshtë si një intuitë e një njeriu të çmendur në qoftë se ai nuk do të njihej si një fizikan serioz e i qëndrueshëm. Sado që të duket e jashtëzakonshme kjo teori, në praktikë ajo të shpie në krijimin e një formule të saktë. Në fillim, shumica e fizikanëve (midis tyre edhe vetë Planku) e kishin pranuar këtë hipotezë si një aksiomë të përcaktuar matematike dhe asgjë më tepër. Megjithatë, vetëm pas disa vitesh u vërtetua se ideja e Plankut për kuantet gjente zbatim të plotë jo vetëm në radiacionin në trupin e zi, por edhe në shumë shfaqje të mundshme fizike. Ajnshtajni, në vitin 1905, me anën e këtij koncepti sqaroi efektin fotoelektrik, ndërsa Nils Bori, në vitin 1913 e shfrytëzoi këtë teori për të sqaruar strukturën e atomit. Planku është fitues i Çmimit Nobel (për fizikë në vitin 1913). Tashmë është fare e qartë, se hipoteza e tij është e vërtetë dhe ka rëndësi themelore për fizikën. Bindjet antinaziste, që kishte në kohën e Hitlerit ia rënduan shumë jetën. Djali i vogël iu ekzekutua në fillim të vitit 1945 për shkak të pjesëmarrjes në komplotin e pasuksesshëm kundër Hitlerit. Vetë Planku vdiq në vitin 1947, në moshën 89 vjeç. Zhvillimi i mekanikës kuantike mund të jetë ngjarja më e rëndësishme shkencore në shekullin XX, ndoshta më e rëndësishme edhe se dy teoritë e Ajnshtajnit për relativitetin. Konstantja h e Plankut është me rëndësi shumë të madhe dhe njihet si një nga dy apo tri konstantet themelore në fizikë. Ajo gjen zbatim në teorinë e strukturës së atomit, në parimin e Hajzenbergut për papërcaktueshmërinë, në teorinë e rrezatimit dhe në shumë formula të tjera shkencore. Shprehja e numërimit, që Planku ka dhënë në konstanten e tij, ndryshon vetëm dy për qind nga numri i pranuar sot. Planku është quajtur në përgjithësi si baba i mekanikës kuantike. Edhe në qoftë se nuk ka luajtur rol shumë të madh në zhvillimin e mëtejshëm të teorisë kuantike, është gabim që ai të vlerësohet më ulët. Shpërthimi fillestar i Plankut ishte shumë i rëndësishëm. Ai i çliroi mendjet e njerëzve nga arsyetimet e gabuara të deri atëhershme dhe u dha mundësi ithtarëve të tij të krijonin më vonë teorinë më elegante, teorinë që kemi sot.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Xhozef Lister.