“Unë nuk kam ardh me kërku ndihmë, por me e marr të drejtën për fëmijët autik në Kosovë”

0
125

Arkitekti i suksesshëm shqiptar, Lulzim Behxheti themeluesi i “Vjosa Foundation” dhe “Vjosa Campus”në emisionin Oxygen ka treguar për fondacionin të cilin ka themeluar dhe qëllimet që ka ky fondacion.

Fondacioni “Vjosa” do t’ua lehtësojë jetesën adoleshentëve autik në Kosovë, kjo falë iniciativës së Lulzimit i cili jeton dhe vepron prej më shumë se 30 viteve në Helsinki të Finlandës.

“Vjosa Foundation ka filluar si ide para 1 viti përmes skicave të cilat kam realizuar për personat me ndikim dhe të cilat janë në shitje për sigurimin e fondeve në këtë fondacion, por është regjistruar në Helsinki, Finlandë para 6 muajve. Vjosa Foundation ka ftesa të ndryshme, njëra ndër më të mëdhajat është ajo e OBSH, si shqiptari i parë i ftuar nga kjo organizatë për të prezentuar projektin e kampusit i cili do u lehtësojë jetën adoleshentëve autik. Në këtë kampus po mendohet të jenë 30 shtëpi për adoleshtët autik të cilat do të shërbejnë për edukimin e tyre duke synuar që të i pavarësojim duke u mundësuar që të jenë anëtar të barabartë të kësaj shoqërie”, thotë Lulzimi

Lulzimi ka treguar se Vjosa Foundatin dhe Vjosa Campus janë emërtuar sipas emrit të vajzës së tij Vjosës e cila është me autizëm dhe ka kërkuar nga Lulzimi që të kontriboj për fëmijët autik në Kosovë.

“Vjosa ka përparuar shumë, kjo falë gruas sime e cila është shumë frymëzuese dhe edukatore e mirë për Vjosën, kjo e ka ndihmuar Vjosën të pavarësohet por jo plotësisht. Krahasuar ndër vitë ka progres shumë të madhë.Udhëtojim shumë, Vjosa bashkë më mua vozit motor tani. Në Finlandë një neurologe shumë e famshme kur Vjosa ishte vetëm 3 vjeçare më tha që Vjosa nuk mund të ec, intuita e prindit është ajo e cila nuk thyhet dhe me ushtrime të cilat i kemi krijuar vet ia kemi mundësuar të gjitha, andaj dua që këto mundësi të i gëzojnë të gjithë adoleshentët autik në Kosovë”, thotë ai

Behxheti ka treguar se fëmijët autik falin dashuri pa kushte dhe janë bekim për familje.

“Fëmijët të cilët janë me autizëm janë më të mirë. I lumi ai i cili ka fëmijë autik sepse falin dashuri pa kushte. Vjosa është princesha e shtëpisë tonë, ne akordohemi gjithmonë me kërkesat e saja”, thotë Behxheti

Lulzimi ka treguar se shumë komuna në Kosovë nuk i kanë ofruar tokë për ndërtimin e këtyre kampeve duke e shtyer procesin e ndërtimit të këtyre kampuseve pasi fondet janë të siguruara.

“Me disa pengesa kam marr tokë për ndërtimin e këtyre kampuseve në një komunë. Unë nuk kam ardh me kërku ndihmë, por me e marr të drejtën për fëmijët autik në Kosovë sepse të gjithë janë të njejtë, varet ti si e trajton si prind. Po më pyesin a është e realizueshme, unë po u them që unë kam ardh me e marr një të drejtë e cila u takon fëmijëve autik. Zgjedhjet në Kosovë po ndikojnë që të shtyhet procesi i ndërtimit dhe mundësimi i lokacionit. Ka disa muaj që po komunikoj me komunat pasi kampuset do të ndërtohen nga një kampus në një komunë por nuk ka rezultate sepse është problem të sigurohen lokacionet.” thotë ai

Behxheti ka zbuluar detaje si do të jetojnë fëmijët nëpër këto shtëpi, sipas tij, fëmijët do të qëndrojnë 12 deri në 24 muaj dhe do të jenë nën përkujdesin e stafit të specializuar duke u siguruar edukim, banim dhe punësim.

“Pas qëndrimit prej 12 deri në 24 muaj, të rinjtë autik më pastaj do të dërgohen në banesa kolektive permanente bashkë me shokë, në këto banesa nuk do të ketë familjarë, do të zhvillohet edhe një biznes në të cilën do të punojnë këta adoleshentë duke i pavarësuar dhe u mundësuar të sjellin diçka në treg përmes punës së tyre.” Thotë Lulzimi

Lulzimi ka kërkuar që njerëzit që kanë nevojë për ndihmë të lajmërohen nëse kanë dyshimë për autizëm për fëmijët e tyre pasi është pa pagesë ndihma.

“Mos i fshehni fëmijët autik, ata nuk janë barrë, por kënaqësi, andaj mos hezitoni na kontaktoni dhe ne do u ofrojmë ndihmë.” thotë ai

Për fund Lulzimi ka treguar se është stimuluar nga miqtë e tij për të kandiduar për kryetar të Gjilanit, pasi babai i tij Fahredin Behxheti ishte dikur kryetar i Gjilanit.

“Nuk e kam pas ndërmend, më është dukur jashtë çdo logjike, por nostalgjia e bën të vetën. Do të kandidoj si kryetar i pavarur i Gjilanit, dua të sfidohem sepse jam person individualist dhe në jetë nuk kam bërë asnjëherë me gjërat e thjeshta. Nuk bëj punë të cilës nuk ia besoj suksesin, kryetarët e komunave janë të lidhura më parti politike dhe kjo është totalisht e gabuar andaj dua të ndërroj konceptin e të jetuarit në Gjilan duke e kthyer në koncept ekologjik” thotë Behxheti

Për fund Lulzimi ka bërë thirrje përsëri që të gjithë që kanë nevojë për ndihmë të lajmërohen në fondacionin “Vjosa” pasi prioriteti i tij është të ndihmojë fëmijët autik në Kosovë.

Projekti i Fondacionit Vjosa tashmë ka marrë mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian dhe se i njëjti projekt do të prezantohet edhe në OKB, gjegjësisht UNICEF./oxygenpress.info