Vazhdon gjykimi ndaj grupit kriminal që akuzohet se mashtroi rreth 176 qytetar për shitjen e banesave në Prishtinë

0
140

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës, nesër do të vazhdojë gjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve që ngarkohen me veprat penale “Krim i Organizuar”, “Mashtrim”, “Shpërlarje e parave”, “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, raporton Drejtësia Sot.

Të akuzuar në këtë rast janë: Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani dhe Faton Orllani.

Lajmin për vazhdimin e këtij gjykimi për Drejtësia Sot, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti, duke shtuar se seanca e nesërme do të fillojë në orën 10:00.

Drejtësia Sot, njofton se seanca e kaluar ishte anuluar për shkak të angazhimeve të kryetares së trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, ndërsa seanca e nesërme pritet të vazhdojë me dëgjimin e të dëmtuarve të tjerë të këtij rasti.

Prokuroria Speciale e Kosovës, me aktakuzën e ngritur në vitin 2016, të akuzuarit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku dhe Burim Vokrri, i ngarkon me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që të tretë duke vepruar si grup kriminal kanë përfituar mjete financiare në vlerë rreth 2 milion euro, përmes mashtrimit të qytetarët lidhur me shitjen e banesave.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Estrida Bunjakun, Xhemajl Arifin, Burim Vokrrin, Valon Orllanin dhe Faton Orllanin, me veprën penale “Shpërlarje e parave”.

Ndryshe sipas kësaj pike të dispozitivit, mjetet e përfituara nga aktivitetet kriminale në vlerë prej 2 milion euro, të akuzuarit kanë tentuar ti konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit, vendit ose pronësisë së pasurisë.

Ndërsa pika e tretë dhe e katërt e aktakuzës e ngarkon të akuzuarën Estrida Bunjaku edhe më dy vepra penale, atë të “Shkaktimit të falimentimit” dhe “Shmangies nga tatimi”.