KMLDNJ paralajmëron ish-pjesëtarët e UÇK-së: Mos kaloni nëpër Serbi, sepse mund të arrestoheni!

0
271

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut iu ka bërë thirrje të gjithë personave, që në një mënyrë apo tjetër kanë qenë pjesë e UÇK-së, të mos kalojnë nëpër Serbi sepse mund të arrestohen.

Sipas këtij këshilli në bazë të kërkesave të Serbisë në Interpol, një numër i shqiptarëve janë arrestuar në shtetet perëndimore dhe ka pasur rrezik të ekstradohen në Serbi, njofton Klan Kosova.

Në mesin e të arrestuarve në shtetet perëndimore ka pasë udhëheqës të lartë ushtarak të UÇK-së dhe udhëheqës të lartë politikë në Kosovë, presidenti, kryeministri, ministra etj.

“Serbia ka qenë shumë aktive në sajesën e akuzës për të ashtuquajturën “ Shtëpinë e Verdhë”, duke sajuar akuza për vrasje, rrëmbim, trafikim të organeve të serbëve, romëve dhe të tjerëve që ishin dërguar në Shqipëri pas së cilës senatori Dick Marty bëri një raport e që për pasojë e kishte formimin e Dhomave të Specializuara në Hagë” .

“Vetë Dhomat e Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë pranuar se janë furnizuar në baza të rregullta me materiale inkriminuese ndaj ish – udhëheqësve të UÇK-së e që mbahen sot në paraburgim në Hagë sikur që kishte formuar grupe të veçanta në Kosovë që blinin dëshmitarë , me shuma deri në 300,000 euro , kinse iu janë hequr organet dhe që pastaj ishin trafikuar. Për shkak të presionit të madh politik , grupi i serbëve të arrestuar në Kosovë e që dyshohej se blinin dëshmi nga serbë , romë dhe të tjerë , pas disa muajve qëndrim në paraburgim , u liruan për t’u mos gjykuar asnjëherë ndonëse kishte prova të pamohueshme në përfshirjen e tyre në këtë grup kriminal , të financuar nga Serbia”.

KMDLNj ka informata se Serbia e ka marrë komplet listën e veteranëve të luftës së ish UCK-së në mënyrë që, nëse iu ofrohet mundësia, t’i arrestojnë dhe t’i detyrojnë të japin dëshmi të rrejshme apo t’i shndërrojnë në bashkëpunëtorë.

“Ka raste kur pjesëtarë të tillë kanë qëndruar në Serbi e pastaj janë paraqitur si dëshmitarë në proceset gjyqësore në Kosovë apo janë në listën e dëshmitarëve të mbrojtur në Hagë”.

Për këtë arsye, ky këshill bën thirrje publike që të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare apo që e kanë ndihmuar luftën , në asnjë mënyrë të mos udhëtojnë nëpër Serbi sepse lehtësisht mund të arrestohen dhe të kushtëzohen me lirim, në kundërvlerë të dhënies së informatave që i duhen Serbisë.

”Nuk është aspak e domosdoshme që të kalohet nëpër Serbi aq më parë që ka rrugë të tjera alternative për të udhëtuar në shtetet perëndimore. Nëse veprohet ndryshe , ka rrezik të madh të arrestohen, pa mundësi që shteti i Kosovës t’iu dal në ndihmë për shkak të rrethanave aktuale dhe mungesës së raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Jemi dëshmitarë që Nezir Mehmetaj po mbahet në burg në bazë të akuzave të sajuara dhe , përkundër dëshirës dhe vullnetit që t’i ndihmohet , është e pamundur të bëhet kjo”.