Nën thirrjen “MARSHOJMË KUNDËR PATRIARKATIT QË VRET” do të shënohet Ditën Ndërkombëtare të Grave

0
96

PATRIARKATIT QË VRET

Këtë vit për 8 mars, nën thirrjen “MARSHOJMË KUNDËR PATRIARKATIT QË VRET” do të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Marshojmë sepse nuk duam të festojmë përderisa vajzat dhe gratë vriten. Rezistojmë të bashkuara patriarkatin që vazhdon t’u marrë jetën shumë grave të Kosovës. Edhe ky 8 mars na gjen të revoltuara ndaj sistemeve shtypëse që kanë mundësuar përshkallëzimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave gjatë viteve të fundit.

Do të dalim nga shtëpitë, universitetet, shkollat, dhomat e gjumit, fabrikat, zyret, spitalet e do të qëndrojmë të bashkuara kundrejt PATRIARKATIT QË VRET! Në këtë ditë, do të përkujtojmë të gjitha gratë që u vranë veç pse ishin gra dhe do të kërkojmë drejtësi nga një shtet që i legjitimoi këto krime.

Rezistenca jonë do të jetësohet në të gjitha hapësirat private e publike ku burrat ushtrojnë dhunë e terror mbi gratë deri sa të ç’rrënjoset sistemi patriarkal i cili na shtyp dhe vret.

Me 8 mars mblidhemi në ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” për të marshuar për drejtësi shoqërore, ekonomike e politike. Për një jetë pa dhunë e shtypje. Për një shoqëri të lirë e të barabartë.

Në frymën e rezistencës, ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen thirrjes tonë qoftë në rrugë apo nga shtëpitë e tyre. Për ata/o që thirrjes duan t’i bashkohen në rrugë, ju presim të marshojmë së bashku nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Ata/o që thirrjes duan t’i bashkohen nga shtëpitë, i ftojmë që në ballkonet e tyre të vendosin mbishkrime në çarçafë ku përshkruajnë luftën e tyre kundër shtypjes që ndodhë brenda dhe jashtë shtëpive. Privatja dhe publikja janë politike, ashtu sikur edhe lufta jonë për drejtësi dhe barazi.

Marshueset/it duhet të respektojnë udhëzimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin social.

Në solidaritet!

Kolektivi Marshojmë S’festojmë

#MarshojmëS’Festojmë #MarshojmëKundërPatriarkatitQëVret