Gjermania, Polonia dhe Suedia dëbojnë diplomatë rusë

0
109

Gjermania, Polonia dhe Suedia morën masa të ashpra kundër Rusisë duke dëbuar sot diplomatë të saj, pasi Moska mbrojti vendimin për të bërë të njëjtën gjë javën e kaluar, duke tensionuar marrëdhëniet me BE dhe duke provokuar më shumë sanksione nga blloku, të cilat i përmendi sot edhe shefi i diplomacisë i BE-së, Josep Borrell.

Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell, pas rikthimit nga Moska, u shpreh i shqetësuar nga refuzimi i autoriteteve ruse për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv me Bashkimin Europian dhe u kërkoi drejtuesve europianë të bëjnë të ditura pasojat që vijnë nga sanksionet.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë e deklaroi punonjësin e ambasadës ruse “persona non grata”, njësoj si Polonia, e cila tha se masa ishte në përgjigje të “dëbimit të pabazë” të një diplomati polak në Rusi.

Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde tha në Twitter se vendimi i vendit të saj ishte “një përgjigje e qartë ndaj vendimit të papranueshëm për përjashtimin e një diplomati suedez’’.

Ministria e Jashtme ruse kishte dëbuar të tre të dërguarit e BE të premten, duke pretenduar se ata morën pjesë në protesta të paautorizuara në mbështetje të disidentit të burgosur Alexei Navalny.

Berlini, Stokholmi dhe Varshava i hedhin poshtë pretendimet, duke thënë se përfaqësuesit e tyre ishin në protesta si vëzhgues, jo si pjesëmarrës./ATSH