Anëtarët e NATO-s shprehin solidaritet të plotë me Poloninë dhe vendet e tjera të aleancës të prekura nga kriza e migrantëve të shkaktuar nga Bjellorusia, deklaruan sot zyrtarët nga selia e NATO-s.
Polonia më herët informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut për situatën në kufirin e saj me Bjellorusinë, thanë zyrtarët e NATO-s.
Një grup i madh migrantësh që shpresonin të hynin në BE nëpërmjet Polonisë tani është vendosur në zonën bjelloruse pranë pikës kufitare Kuznica, pas përpjekjeve për të hyrë me forcë në Poloni të hënën.
Zyrtarët e NATO-s thanë se Bjellorusia mban përgjegjësi për krizën dhe se përdorimi i migrantëve nga regjimi i Lukashenkos si një taktikë hibride është çnjerëzore, e paligjshme dhe e papranueshme.
Ata shtuan se, NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën dhe është e gatshme të ndihmojë më tej aleatët e saj dhe të ruajë sigurinë në rajon.
Lukashenko, presidenti i Bjellorusisë, akuzohet për përpjekje të qëllimshme për të krijuar një krizë të re të migrantëve në Europë në shenjë hakmarrjeje për sanksionet që Brukseli ka vendosur ndaj Minskut.