Dr. Ismail Lutolli: Në Kosovë po u planifikuan të gjitha kushtet nuk bëhesh kurrë me fëmijë, por një bazë duhet të jetë

0
901

Ismail Lutolli, specialist pediatër dhe subspecialist dietolog-nutricionis, ka folur për shumë çështje me rëndësi në emisionin OXYGEN.

Ai thotë se roli i babait luan rol të madh në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës dhe përkrahjen e nënës.

“Baballarët nuk janë sado të përkushtuar për fëmijët. Për mua është kënaqësi kur në ordinancë futet nëna me babin bashkë me fëmiun në vizitë. Roli i babait është shumë i rëndësishëm, por shumica e rasteve janë që nënat përkushtohen më shumë kjo është si pasojë ndoshta edhe e sistemit sepse burrave nuk u takon pushim për lindjen e fëmijës” thotë ai

“Përkrahja e partnerit është e rëndësishme, nëna ka nevojë për përkrahje sepse ka raste kur nëna nuk mund të jetë gjidhënëse dhe partneri duhet ta përkrahë. Nëse nëna nuk ka qetësi të mjaftueshme dhe përkrahje nga të tjerët, kjo reflekton në vështirësi në procesin e gjidhënies, duke ndikuar direkt në pakësimin e prodhimit të qumështit.“ thotë Lutolli.

Lutolli tregon se ndikon tek nëna fakti që nuk mund të jetë nënë gjidhënse andaj duhet trajtuar dhe mbështetur nga partneri dhe familja.

“Nënat duan të jenë të përkryera për fëmijët, kur nuk mundem të jenë gjidhënise kjo është goditja e parë sidomos kur dikush nga rrethi mund të diskutoj mbi faktin që nuk është nënë gjidhenëse ose fëmija nuk po shton shumë peshë, këto fjalë ndikojnë tek nënat andaj duhet kujdes nga rrethi i ngushtë dhe përkrahje e vazhdueshme.” thotë ai.

Lutolli dhe familja e tij kanë jetuar dhe punuar në vende të ndryshme por kanë vendosur që të kthehen në Kosovë dhe të ndihmojnë pacientët.

“Ne vendosëm të kthehemi në Kosovë edhe pse nuk ishte aspak e lehtë sepse do të braktisnim gjithçka çfarë kishim ndërtuar, në Kosovë është më e vështirë por unë ndjej kënaqësi që jam këtu me njerëzit e mi të iu ndihmoj sepse kur bëhesh mjek duhet të njohësh edhe anën humane sepse nëse shikon veq anën materiale zhvishesh nga humaniteti dhe detyra.” thotë ai

Ai tregon se në disa vende të botës planifikohet dhe llogaritet se a mund të përballojë një çift fëmijën dhe a mund ti ofrojë kushtet e nevojshme.

“Në Kosovë po u planifikuan të gjitha kushtet nuk bëhesh kurrë me fëmijë, por një bazë duhet të jetë. Fëmija është shumë përgjegjësi, kur ndodh të vjen në jetë fëmija nuk ka çështje krenarie aty por përgjegjësie. Të qenurit së bashku me një person me të cilin ke lidhje dashurie është hyjnore. Në mentalitetin tonë nuk ekziston lindja e fëmijës pa marrëdhënie martesore, por disa çifte fëmija i lidh më shumë. ” thotë ai

“Nëse ekzistojnë kushtet duhet së paku dy fëmijë sepse mësohen me i nda gjërat, nëse Zoti u dhuron mbarësi sa më shumë është më mirë sepse fëmija është begati për familjen nëse është i edukuar mirë, kurse një fëmijë që lihet pas dore të sjell telashe.” thotë ai

Lutolli ka diskutuar mbi rëndësinë e gjidhënies për fëmijën dhe ndikimin në zhvillimin e mirë në aspektin fizik dhe psikik për fëmijën.

 “Një fëmijë i cili ushqehet me gji ka një shëndet më të mirë. Gjidhënia, jo vetëm që siguron ushqimin për foshnjën, por gjithashtu siguron edhe mbrojtjen më të mirë imunitare, përcjellë ngrohtësinë, dashurinë dhe sigurinë e vazhdueshme për foshnjën,  ecje të mirë në aspektin fizik dhe psikik për fëmijën . Një nënë mund të jetë e shkëlqyer në rritjen e fëmijës edhe pa qenë gjidhënse sepse ky fakt nuk e përcakton mëmësinë e askujt. Nëse fëmija po shton peshë mirë pas lindjes dhe nuk ka probleme, procesi i gjidhënies po shkon mirë nuk është nevoja për vizitë tek mjeku.” thotë Lutolli.

Për fund Ismail Lutolli thotë se duhet kushtuar rëndësi primare çasjes ndaj pacientit si mjek pasi jo të gjitha rastet kanë shërim.

“Komunikimi, pakësimi i dhimbjeve, aspekti njërëzor human mes mjekut dhe pacientet janë me rëndësi. Jo të gjitha rastet shërohen por të gjitha rastet duhet trajtuar me çasje humane dhe njerëzore.” thotë ai/oxygenpress.info