“Unë po përpiqem ta ruaj bijën time nga kjo shëmti”

0
79

Nga Emine Bajrami

Vajzën time dua ta edukoj ta dojë librin, dijen, por me një të lëshuar të televizorit ajo sheh se në krye të vendit e në qendër të vëmendjes është një femër gjysëm e zhveshur të cilës i duartrokitet vazhdimisht, e ajo as dy fjalë nuk di t’i lidhë si duhet. Pikërisht ajo të cilën mund ta dëgjojë bija ime dhe e ytja, nuk ka lexuar ndonjë libër gjithë jetën e saj. E kanë fryrë vlerën e saj mediet në betejën e tyre të vazhdueshme për klikime. Çudi. Si ramë në këtë gjendje ku bajrakun në dorë mund ta mbajë gjithsecili. Zonja që na shfaqet në televizor rrëfen për buzët e fryra, përderisa vazhdimisht detyrohet ta ngrejë xhaketen sepse disa centimetra më shumë dhe do të shfaqet “topless”, flet për gjëra të kota, pa asnjë vlerë, por tek fëmija trondisin mësimet e së mirës që ia ke dhënë ti si prind. Nga dita në ditë po venitet virtyti më i bukur, morali e turpi.

Në kohën kur bijat tona duhet ta njohin Zotin, si fëmijë në rritje e zhvillim e sipër, ta zbukurojnë mendjen me dije, të merren me sport, të krijojnë art, ato takohen me moshataret e tyre me take të larta, me buzë të lyera, e me “role model” “artisten” e lartpërmendur. Mirë kanë thënë të moçmit, “shih rrushi rrushin e pjeku”. I dëgjon fëmijët duke thënë “Eh, filani iphone 10 ka. Filanja ka bërë këtë e atë.” Nuk flasin për dikë që ka arrirë sukses në mësime. Nuk duhet të harrojmë që fëmijët nuk i edukojnë vetëm prindërit. Faktorët e jashtëm kanë ndikim të madh, sepse secili fëmijë dëshiron të përshtatet me miqtë, përndryshe privohet nga shoqëria e tyre.

Prandaj, bëni kujdes çfarë u servirni fëmijëve në ekrane. Ata përthithin çdo gjë, më mirë se një sfungjer ujin. Si nëna, të kujdesemi se çfarë servojmë në tavolinën e edukimit. Të përpiqemi të gjitha, sepse “me një lule nuk çelë pranvera”. Gjeneratat e arta nuk rriten me këtë lloj “ushqimi” shpirtëror e mendor që iu servohet fëmijëve tanë. Unë po përpiqem ta ruaj bijën time nga kjo shëmti, por jam e vetëdijshme që do ta kem shumë më të vështirë nga sa e ka pasur nëna ime të më ruajë mua.