Njihuni me personalitetin i cili hapi historinë e marshimeve kristiane (kryqëzatave)

0
144

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 51 me radhë e ka Papa Urbani II.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LI- Papa Urbani II

(1042-1099)

Rrallë kujtohet ndonjëri tani për Papa Urbanin II. Gjithashtu, të paktë janë ata, që kanë patur ndikim aq të madh dhe aq të drejtpërdrejtë në historinë njerëzore. Urbani II ishte Papa që u bëri thirrje për luftë kristianëve në emër të çlirimit të vendeve të shenjta nga myslimanët. Me këtë, ai hapi historinë  e marshimeve kristiane (kryqëzatave).

Urbani II, emri i vërtetë i të cilit ishte Odo d’Llazheri, u lind rreth vitit 1042 në afërsi të qytetit francez Shatijon-sir-Marn. Rridhte nga një familje e madhe fisnike franceze. Ishte i pajisur me arsim të mirë. Në rini kishte qenë arkimandrit në Reims. Më vonë, radhazi u bë murg, kryemurg, kardinal dhe në vitin 1088 u zgjodh Papë. Urbani II ishte një Papë me energji dhe largpamësi politike. Por kjo nuk ia siguron vendin në libër. Ngjarja për të cilën përmendet më shumë ai, ndodhi më 27 shtator të vitit 1095. Në këtë ditë, në qytetin Klermon të Francës, ai thirri një kuvend të madh kishtar. Aty, përpara mijëra vetave, mbajti, ndoshta fjalimin e vetëm të sukseshëm në histori, ndikimi i të cilit u ndje edhe shumë shekuj të tjerë në Evropë. Aty, Urbani deklaroi se fshatarët turq i kishin pushtuar vendet e shenjta, i kishin ndyrë dhe i pengonin adhuruesit e krishterë për të bërë ritet e tyre. Ai u bëri thirrje të gjithë të krishterëve për t’u ngritur në luftë fetare, në një marshim të madh kristian, për t’i rimarrë vendet e shenjta. Por Urbani ishte aq i zgjuar sa që nuk mendonte vetëm për zgjim altruist të kristianizmit. Ai u rikujtoi atyre se vendet e shenjta ishin shumë të pasura dhe prodhuese -shumë më të pasura se vendet e populluara në Evropën kristiane. Në fund Papa deklaroi se pjesëmarrja në marshimin kristian do t’u zëvendësonte pendesën me faljen e mëkateve. Fjalimi i shkëlqyer i Urbanit, i cili u përhap si tek ata më aktivët, ashtu edhe tek ata më të mbyllurit në vetvete, shkaktoi një zgjim flakërues të dëgjuesit. Ende pa mbaruar fjalimin, grupe njerëzish filluan të thërrisnin:”Deus de volt!” (Zoti e kërkon këtë!). Kjo shprehje, shpejt u bë thirrja luftarake e kryqëzatave. Vetëm pas disa muajsh nisi marshimi luftarak i Kryqëzatës së parë. Pas kësaj, vijuan një varg i gajtë ushtrisë klerikale (marshimet e mëdha të kryqëzatave ishin tetë dhe për më tepër ishin ato më pak të rëndësishme), që përfshijnë një periudhë kohore rreth dyqind vjet.Urbani II vdiq në vitin 1099, dy javë pasi kryqëzatat e para ia kishin kthyer Jerusalemin, por përpara se të shkonte lajmi tek ai. Nuk e di sa e rëndësishme është të flitet për rëndësinë e kryqëzatave. Ato kishin ndikim të drejtpërdrejtë tek pjesëmarrësit dhe te popullsia civile, që u ndodh në rrugën e tyre. Ato u bënë shkak për krijimin e kontakteve të afërta të Evropës Perëndimore me civilizimet bizantine dhe islamike, të cilat atë kohë ishin më përpara. Këto kontakte ndihmuan për hapjen e rrugës drejt renesancës, e cila solli lulëzimin e plotë të civilizimit bashkëkohor evropian. Papa Urbani II gjeti vend në libër, jo vetëm për rëndësinë shumë të madhe që patën marshimet e kryqëzatave, por për faktin se pa fjalimin e tij plot pasion e frymëzim, ato do të realizoheshin me mjaft vështirësi. Është e qartë se kushtet për ato ngjarje ishin pjekur, edhe në qoftë se fjalimi i tij do të kishte mbetur si zë në shkretëtirë. Për t’u vendosur parimi i lëvizjes së madhe evropiane, duhej patjetër që udhëheqësi të ishte një figurë qendrore. Atë rol nuk e ka luajtur asnjë monark. (Në qoftë se, për shembull, një perandor gjerman do t’u shpallte luftë fetare turqve dhe do t’i shpinte ushtritë e tij në marshime kryqëzatash, është e vështirë të thuhet se kalorës anglezë do t’i vinin në ndihmë ). Në atë kohë, në Evropën Perëndimore kishte vetëm një figurë, autoriteti i të cilit i kalonte kufijtë kombëtarë. Ai ishte Papa, i cili me thirrjen që bëri, angazhoi gjithë krishterimin perëndimor në luftë kryqëzatash. Pa udhëheqjen e Papës dhe pa fjalimin e tij dramatik në të vërtetë asnjëherë nuk do të fillonin fushatat e kryqëzatave. Situata ishte e tillë që kushdo tjetër të mbante pushtetin e Papës, nuk do të kishte guxuar të propozonte marshimin e kryqëzatave për çlirimin e vendëve të shenjta. Në këto  kushte, në shumë këndvështrime, një nismë e tillë ishte jo praktike. Shumica e udhëheqësve të zgjuar ndruheshin të propozonin diçka, pasojat e të cilave ishin shumë të paparashikuara. Megjithatë, Urbani II guxoi të bënte një gjë të tillë dhe prandaj pati dhe ka një ndikim më të madh e më të qëndrueshëm në historinë njerëzore se shumë figura të tjera shumë më të njohura.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Omar Ibn Al Hatab.