Njihuni me ithtarin besnik të Muhamedit, figura kryesore që shërbeu më shumë në përhapjen dhe ndikimin e islamizmit

0
170

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 52 me radhë e ka Omar Ibn Al Hatab.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LII- Omar Ibn Al Hatab

(586-644)

Omar Ibn Al Hatab është kalifi i dytë dhe myslimani më i madh. Është bashkëkohësi më i ri i Muhamedit, që është lindur në Mekë. Data e saktë e lindjes nuk dihet, por më e besueshme është që të ketë lindur rreth vitit 586.

Në fillim, Omari ka qenë një nga kundërshtarët më të vendosur të Muhamedit dhe të fesë së tij të re. Por, papritur pranoi islamizmin dhe pas kësaj u bë një nga ithtarët më besnikë të tij. (Është i qartë krahasimi me Shën Pavlin, që e pranoi në të njëjtën mënyrë krishterimin).Omari u bë një nga predikuesit më të afërt të Muhamedit dhe i tillë mbeti deri në fund të jetës. Muhamedi vdiq në vitin 632 pa lënë ndonjë pasardhës. Omari shpejtoi të mbështeste kandidaturën e Abu Bakrit, ndihmës i afërt i sektit të Profetit. Kështu u mënjanua lehtë lufta për pushtet dhe u bë e mundur që Abu Bakr të njihej nga të gjithë si kalifi i parë, apo si ”tashëgimtar” i Muhamedit. Abu Bakri ishte udhëheqës i denjë, por vdiq shpejt, vetëm pas dy vjetësh. Megjithatë, për trashëgimtar të vetin ai kishte caktuar Omarin (i cili ishte edhe ai profet). Kështu u shmang për së dyti lufta për pushtet. Omari u bë kalif në vitin 634 dhe qëndroi në pushtet deri në vitin 644, kur u vra në Medinë nga një rob persian. Në shtratin e vdekjes, përpara se të vdiste, Omari caktoi një komision prej gjashtë anëtarësh për të zgjedhur trashëgimtarin e ri. Kështu u mënjanua për të tretën herë lufta e armatosur për pushtet. Komisioni zgjodhi Otmanin, kalifin e tretë, që udhëhoqi nga viti 644 deri në vitin 656. Gjatë dhjetë vjetëve që Omari udhëhoqi kalifatin arabët kryen luftërat më të rëndësishme. Që kur mori pushtetin ai, ushtritë arabe hynë shpejt në Siri dhe Palestinë, që në atë kohë ishin pjesë e Perandorisë Bizantine. Në betejën për Jarmukun (636), arabët u përmenbajtën nga fitorja shkatërruese ndaj bizantinëve. Të njëjtin vit ra Damasku dhe dy vjet më vonë Jerusalemi u dorëzua. Rreth vitit 641, arabët duke patur nën vete tërë Palestinën dhe Sirinë u drejtuan drejt Turqisë së sotme. Në vitin 639, u futën në Egjipt, që edhe ai në atë kohë ishte nën pushtimin bizantin, i cili pas tri vjetësh u pushtua. Mësymjet arabe në Irak,që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Persiane të Sasanidëve, kishin filluar përpara se të vinte Omari në pushtet. Gjatë kohës së tij në pushtet, arabët arritën fitore të rëndësishme në betejën për Kadisinë (637). Në vitin 641 i tërë Iraku ra në duart e arabëve. Megjithatë, kjo nuk ishte gjithçka: ushtritë arabe hynë brenda në Persi dhe në betejën për Nehavendën (642) realizuan fitoren vendimtare kundër perandorit të fundit të Sasanidëve. Kur Omari vdiq në vitin 644, pjesa më e madhe e Iranit Perëndimor tashmë ishte shkelur. Pas vdekjes së tij arabët nuk e pushuan luftën: në lindje pothuajse nënshtruan Persinë, ndërsa në perëndim vazhduan trysnitë mbi  Afrikën Veriore.

Shtrirja e luftërave të Omarit është po aq e rëndësishme sa edhe qëndrueshmëria e tyre. Irani, popullsia e të cilit e pranoi islamizmin, në fund të fundit fitoi pavarësinë nga sundimi arab. Megjithatë, Siria, Iraku dhe Egjipti nuk arritën ta bëjnë këtë. Këto vende u arabizuan plotësisht dhe të tillë kanë mbetur edhe sot. Kuptohet, Omari duhej të mendonte politikën përkatëse për të udhëhequr një perandori të madhe të pushtuar nga ushtritë e tij. Ai vendosi që arabët të bëheshin kastë ushtarake e privelegjuar e vendeve të pushtuara, ku të jetonin në garnizonet e qyteteve, larg popullsisë. Popujt e pushtuar ishin të detyruar të respektonin luftërat e myslimanëve (kryesisht të arabëve), ndërsa nga ana tjetër u lanë të lirë. Më konkretisht, nuk u detyruan të pranonin islamizmin. (Nga kjo del, se sukseset luftarake të arabëve, vinin në radhë të parë nga ushtria luftarake kombëtare, që në përbërje të saj kishte dhe ushtarë jo fetarë, edhe pse ende nuk ishte vendosur plotësisht elementi fetar). Arritjet e Omarit janë me të vërtetë të mahnitshme. Pas Muhamedit, ai është figura kryesore që shërbeu më shumë në përhapjen dhe ndikimin e islamizmit. Veç kësaj, pjesa më e madhe e territoreve të pushtuara në kohën e Omarit mbetën përjetësisht arabe. Kuptohet që merita kryesore për të gjitha ato ngjarje i takojnë dukshëm Muhamedit. Por, është gabim i madh të lëmë pas dore arritjet e Omarit, atë që solli Omari. Luftërat e tij nuk ishin pasoja automatike të rolit shpirtëror të Muhamedit. Sigurisht, do të arrihej deri në një farë mase shtrirja e pushtimeve arabe, por jo deri në ato suksese aq shumë të mëdha luftarake që u arritën nën udhëheqjen e Omarit.

Mund të duket si e papritur që Omari, faktikisht i panjohur në Perëndim, të klasifikohej në këtë libër më lart se figurat e njohura, si Karli i Madh dhe Jul Çezari. Por, luftërat arabe nën drejtimin e Omarit, sipas përmasave dhe jetëgjatësisë së tyre janë shumë më të rëndësishme se ato të Jul Çezarit apo Karlit të Madh.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Ashoka.