Monarku kryesor i historisë së Indisë, udhëheqësi i tretë i mbretërisë Magadha

0
120

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 53 me radhë e ka Ashoka.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LIII-  Ashoka

(300-232 p.e.s)

Ashoka, ka qenë monarku më kryesor i historisë së Indisë, udhëheqësi i tretë i mbretërisë Magadha dhe nip i themeluesit të saj, Çandragupta. Çandragupta ka qenë udhëheqës ushtarak indina,  i cili në vitet pas fushatave të Aleksandrit të Madh udhëhoqi në pjesën më të madhe të Indisë Veriore e cila u bë perandoria e parë kryesore në historinë e Indisë. Nuk dihet se në ç’vit është lindur Ashoka. Mund të ketë lindur rreth vitit 300 p.e.s., ndërsa në fronin mbretëror është ngjitur rreth vitit 273 p.e.s. Në fillim ai ndoqi gjurmët e gjyshit, duke synuar që më veprime luftarake të zgjeronte territoret e tij. Në vitin e tetë të sundimit të tij, lufta me Kalingën, shtet ne bregun lindor të Indisë,(afër  Orisës së sotme ) përfundoi me sukses. Kur mësoi vlerën e kësaj fitoreje, Ashoka u shushat: 100 mijë ushtarë të vrarë dhe shumë më tepër të plagosur. I dëshpëruar dhe i shqetësuar, ai vendosi të mos vazhdonte më luftërat  pushtuese të Indisë dhe u bë kundërshtar i çdo lufte agresive. Ai pranoi budizmin si filozofinë e vetë fetare dhe u përpoq duke predikuar të vinte në praktikë sinqeritetin, dashurinë dhe jo forcën. Me bindje, Ashoka u shkëput nga gjuetia dhe u bë vegjetarina. Megjithatë, më të rëndësishme janë synimet e tij të pastra, thjesht njerëzore që ndoqi në linjën politike. Ai ndërtoi spitale për njerëzit dhe rezervuarë për bagëtitë; hoqi shumë nga ligjet e ashpra, ndërtoi rrugë dhe kanalizime për t’u mbrojtur nga përmbytjet. Emëroi nëpunës të veçantë shtetërorë, të quajtur darma, për t’i mësuar njerëzit si mirëbërës, të nxitnin respektin e ndërsjellë midis tyre. Gjatë pushtetit të tij, ishin të tolerueshme të gjitha fetë. Por ai vetë, natyrisht, përkrahte budizmin, që kishte popullaritetin më të madh. Në shumë vende të tjera, u dërguan misionarë budistë, të cilët me predikimet e tyre arritën mjaft suksese, sidomos në Celjon (Sri Lanka).Ashoka urdhëroi që në shkëmbinjtë dhe shtyllat e perandorisë të gdhendeshin fjalë për jetën dhe veprën e tij. Shumë nga këto relike kanë mbetur deri në ditët tona. Ato na informojnë saktë për përmasat e pushtetit të tij, ndërsa mbishkrimet janë burim kryesor i të dhënave për veprat e tij. Midis tjerash, shtyllat për të cilat bëhet fjalë janë edhe vepra të shkëlqyera arti. Pesëdhjetë vjet pas vdekjes së Ashokës, perandoria e Magadhasë u shkatëërrua dhe nuk u ngrit më . Megjithatë, me mbështetjen që Ashoka i dha budizmit, ndikimi i tij në botë u zgjerua dhe mbeti jetëgjatë. Kur Ashoka u ngjit në fron, budizmi ishte shtrirë vetëm në një numër të vogël rajonesh dhe ithtarët e tij i kishte vetëm në pjesën veriperëndimore të Indisë. Ndërsa kur vdiq ai, budizmi pati ithtarë në gjithë Indinë madje, ishin përhapur edhe në vendet fqinje. Përveç Budës, më tepër se kushdo tjetër, Ashoka ka qenë figura kryesore, që ndikoi në rritjen dhe përhapjen e budizmit, njërës prej feve më të mëdha të botës.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Shën Agustini.