”Çdo njeri nga ne është i privuar nga mëkati i parë, kështu që jemi të lirë të zgjedhim midis së mirës dhe të keqes”

0
113

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 54 me radhë e ka Shën Agustini.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LIV- Shën Agustini

(354-440)

Agustini, që jetoi në vitet e rënies së Perandorit Romake, është teologu më i madh i asaj kohe. Veprat e tij për doktrinën krishtere kanë patur ndikim të thellë gjatë gjithë periudhës së mesjetës. Ato ndikojnë edhe sot.

Agustini është lindur në vitin 354 në qytetin Tagaste (tani Sugaras, në Algjeri) rreth 70 km në jug të qendrës së madhe bregdetare Hipo (sot Anaba). I ati besonte në shumë zotër, ndërsa e ëma ishte kristiane e zellshme. Atë, nuk e kishin pagëzuar kur kishte qenë fëmijë. Që në rini Agustini manifestoi inteligjencë të madhe. Në moshën 16-vjeçare e dërguan të mësonte në Kartagjenë. Aty, në mënyrë të jashtëligjshme, bashkëjetoi me një grua që kishte një fëmijë joligjor. Kur ishte 19 vjeç ai vendosit të mësonte filozofi. Shpejt u bë ithtar i manihejizmit, fe e themeluar rreth vitit 240 nga Manihej. Për të riun Agustin feja kristiane ishte jo e plotë. Por, gjatë nëntë viteve të mëvonshme, dalëngadalë ai u zhgënjye nga manihejizmi. Kur ishte 29 vjeç u vendos në Romë. Pak më vonë vajti në Milano (Itali e Veriut), kur u bë profesor i retorikës. Aty u njoh me neoplatonizmin, që është modifikim i filozofisë së Platonit dhe i përpunuar nga Plotini në shekullin III.

Në atë kohë, arkipeshkv i Milanos ka qenë Ambrozi. Duke dëgjuar disa nga predikimet e tij, Agustini mësoi shumë të reja për kristianizmin. Kështu, 32 vjeç ai u pagëzua: i pabesi i dikurshëm i kristianizmit tani u bë predikuesi kryesor i saj. Në vitin 387, pasi mori të gjitha bekimet nga Ambrozi,Agustini u kthye në qytetin e lindjes, në Tagaste.

Në vitin 391 u bë ndihmës episkopi i Hipos. Pesë vjet më vonë, pas vdekjes së Arkipeshkvit, Agustini, tashmë 42-vjeçar, zuri vendin e tij dhe mbeti me atë funksion deri në fund të jetës.

Edhe pse Hipo-ja nuk ishte qendër e rëndësishme, veprat cilësore të Agustinit ishin aq të dukshme, sa që ai u bë një nga personalitetet kishtare më të nderuara. Megjithëse fizikisht i dobët, me ndihmën e stenografëve, Agustini krijoi shumë vepra fetare. Deri në ditët tona kanë arritur rreth 500 predikime dhe mbi 200 letra të tij. Nga librat e tij më të njohur dhe më të mira janë : “Qyteti i Zotit” dhe “Rrëfime”. Librin e dytë, që është një nga jetëshkrimet më të njohura, e ka shkruar rreth moshës 40-50 vjeçare. Shumë nga letrat e tij të njohura i janë kushtuar manihejistëve, donatistëve (sekt i përçarë kristian) dhe pellajgistëve (grup heretik kristian) ku hedh poshtë pikëpamjet e tyre. Në debatin kryesor me pellajgistët shpalosen pikëpamjet fetare të Agustinit. Pellajgi ka qenë monark anglez, që kishte vajtur në Romë rreth vitit 400. Aty ai kishte shfaqur disa pikëpamje teologjike interesante: ”Çdo njeri nga ne është i privuar nga mëkati i parë, kështu që jemi të lirë të zgjedhim midis së mirës dhe të keqes. Me një jetë të drejtë dhe me vepra të mira çdo njeri mund të arrijë në shpëtim” – thoshte Pellajgi. Ndikimet e Agustinit, deri në një farë mase kanë qenë  shkak që pikëpamjet e Pellajgit të quheshin heretike dhe ai të mënjanohej nga kisha. (Ai tashmë s’kishte të drejtë të hynte në Romë). Sipas Agustinit, ”Të gjithë njerëzit janë damkosur me mëkatin e Adamit. Ata nuk janë në gjendje të shpëtojnë me përpjekje vetjake dhe me vepra të mira. Për këtë është e domosdoshme dashuria ndaj Zotit”. Pikëpamje të ngjashme janë shfaqur edhe para kësaj. Por, Agustini i përhapi ato dhe me predikimet që bëri, përforcoi pozicionin e kristianizmit. Këshillat e tij jetuan edhe më vonë. Agustini mbrojti pikëpamjen se Zoti e di kë do të falë e kë jo dhe sipas kësaj, disa ishin parashikuar që të faleshin. Kjo pikëpamje ndikoi te disa teologë të mëvonshëm, si tek Shën Thoma Akuini dhe Xhon Kalvini. Më e rëndësishme nga doktrina e parashikimit, mund të jetë qëndrimi i Agustinit ndaj jetës seksuale: Kur pranoi kristianizmin,ai mendoi se ishte e domosdoshme të tërhiqej nga jeta seksuale, (Një herë ai shkroi: ”Asgjë nuk vlen më shumë se largimi nga marrëdhëniet seksuale”). Lufta vetjake dhe pikëpamjet e tij për këtë temë janë sqaruar në mënyrë të hollësishme në librin “Rrëfimet”. Për shkak të autoritetit të madh që gëzonte, pikëpamjet e tij për jetën seksuale patën ndikim të madh në mesjetë. Në veprat e tij, Agustini bashkoi në një shfaqjen e mëkatit të parë me impulsin seksual. Në kohën e Agustinit Perandoria Romake filloi të bjerë shpejt. Në vitin 410 Roma u shkatërrua nga gotët perëndimorë të udhëhequr nga Alarihu. Fetarët e mbetur, që besonin në shumë zotër hoqën dorë në mënyrë të natyrshme nga besimi në zotët e tyre prej druri dhe pranuan kristianizmin. Vepra më e rëndësishme e Shën Agustinit “Qyteti  i Zotit”, në kuptimin më të plotë të fjalës, është mbrojtja e kristianizmit nga akuza të ngjashme. Megjithatë, në atë libër paraqitet gjithë historia e filozofisë, e cila ka patur ndikim të fuqishëm në ngjarjet e  mëvonshme në Evropë. Agustini mbronte mendimin se Perandoria Romake, nuk kishte atë rëndësi të madhe siç shkruhej; as Roma nuk e kishte dhe asnjë vend tjetër në botë. Sipas tij, shumë më e rëndësishme ishte ndërtimi i “Qytetit Qiellor”, me fjalë të tjera, përparimi shpirtëror i njërëzimit. Forca lëvizëse për përparim, natyrisht,ishte kisha.(Nuk ka falje jashtë kishës). Nga kjo del, se perandorët, pavarësisht në besonin në shumë zotër, ishin të krishterë apo barbarë, nuk kishin patur atë rëndësi që kanë patur papati dhe kisha. Edhe në qoftë se Agustini vetë nuk e bëri hapin e fundit, logjika e tij e argumentuar të çon lehtë në përfundimin se pushtetarët, që në çdo rast janë të përkoshëm, duhet t’i nënshtrohen papatit. Papët e mesjetës arritën me kënaqësi në këtë përfundim. Kështu, doktrinat e Agustinit vendosën themelet e konflikteve të zgjatura midis kishës dhe shtetit. Këto konflikte për një varg shekujsh me radhë e karakterizuan historinë e Evropës. Veprat e Agustinit sollën disa elemente të filozofisë greke në mesjetë. Më konkretisht, neoplatonizmi pati ndikim të fuqishëm në të kuptuarit e pikëpamjeve të Agustinit, gjithashtu edhe të filozofisë kristiane gjatë mesjetës. Duhet kujtuar, se shumë kohë para Dekartit, Agustini kishte shprehur mendimin: ”Mendoj, do të thotë ekzistoj”, natyrisht me fjalë të tjera. Agustini ishte teologu i fundit i madh i kristianizmit mesjetar të hershëm: veprat e tij lanë doktrinën kishtare që ekzistoi deri në fund të mesjetës. Ai ishte më i shquari ndër baballarët e kishës latine, veprat e tij kanë patur shumë lexues ndër priftërinjtë. Pikëpamjet e tij për të falurin, për jetën seksuale, për mëkatin e parë dhe për shumë probleme të tjera nuk mbetën zë në shkretëtirë. Shumë teologë të mëvonshëm katolikë, si Shën Thoma Akuini, si dhe udhëheqësit e protestantizmit, Luteri dhe Kalvin e studiuan ndikimin e madh të Agustinit. Agustini vdiq në Hipo, në vitin 430, në moshën 76 vjeçare. Në atë kohë qyteti ishte rrethuar nga vandalët, një nga fiset barbare, që hynë në Perandorinë Romake, tashmë të kalbëzuar. Disa muaj më vonë ata u futën brenda dhe i vunë flakën qytetit, por biblioteka e Agustinit dhe katedralja mbetën të padëmtuara.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Uilliam Harvi.