Paratë e grumbulluara për Klodianin e vrarë, babai i tij i jep për shërimin e një vogëlusheje nga Shkupi

0
438

Babai i Klodianit të vrarë nga policia në Tiranë, Qazim Rasha, ka vendosur që të gjitha paratë që ia dërguan atij për ngushëllim për vdekjen e të birit, t’ia dhurojë një vajze të vogël nga Shkupi,

Adisa, që vuan nga skolioza, për t’u kuruar.

Në një rrëfim emocionues, ai në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, ka thënë se nderin që ia bënë shqiptarët ta kthejë edhe ai duke e shëruar edhe zemrën e një prindi që po e sheh të bijën duke u dergjur nga sëmundja, njofton Klan Kosova.

“Dhimbja e djalit tim është dhimbja e çdokujt. Kjo dhimbje është një fatkeqësi, është një bombë që nuk përjetohet dhe mua më ra për pjesë. Mendova që gjithë nderin që më bënë shqiptarët, kudo që janë, nga cepi më cep, të bëj edhe unë pjesën time. Duke qenë se djali im e mbylli jetën, e mbylli bukurinë, e mbylli lulen e rinisë, mendova që duke falënderuar nga shpirti të gjithë të interesuarit për plagën time që mundohen që të ma lehtësojnë erdhën për të ngushëlluar, erdhën për të ndihmuar shpirtin e Klodianit, por Klodiani s’arriti ta shijojë jetën e tij, atëherë gjithë dedikimin që erdhi në adresën e djalit tim ta jap. Paratë që më erdhën isha i detyruar që vetëm t’i hapja për nderin e atyre që menduan ta bëjnë për hirin e djalit tim edhe pse fëmijët më thanë të mos i hap hiç. Atëherë u mendova që këto para t’ua kthejë në gëzim, t’ua kthejë një të mirë të shpirtit dhe zemrës së familjes time, por s’mund të pranoj që t’i marr në shtëpi sepse Klodiani çka pati me marrë me veti, i mori. Ai s’jeton më”.

“Të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë. Apeli im është mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë. Duke falënderuar babanë e artistit Noizy e të gjithë ata që më kanë ndihmuar, kam vendosur t’ia dhuroj paratë vajzës nga Shkupi që po dergjet. Të gjitha ndihmat për Klodianin t’i kalojnë shërimit të asaj vajze. Zoti e shëroftë. Plagë të tilla mos përjetoftë askush”.