Banorët e Krushës: Ne duam vetëm drejtësi, le të jet kudo në botë!

0
49

nga Selami Hoti

Ulja e dënimit nga 22 vite në 11 vite nga Gjykata e Apelit ndaj kriminelit serb Darko Tasic
Sot ë takim në Kuvendin e Kosovës, bashkë me znj.

Fahrije Hoti

si dhe me z.

Gani Zylfiu

e z. Bedri Shehu përfaqësues nga Krusha e Vogël.

Fjalimi im para Komisionit Parlamentar për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, për persona të pagjetur dhe peticione pranë Kuvendit të Republikës se Kosovës
E nderuara kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Duda Balje,
Të nderuara deputete anëtare të komisionit, znj. Besa Ismaili, znj. Jasmina Dedic, znj. Valdete Idrizi, znj. Marigona Geci, znj. Saranda Musliu, znj. Fjolla Ujkani, znj. Saranda Bogujevci, znj. Teuta Haxhiu, z. Veton Berisha dhe znj. Zikreta Aliti, deputete Yllza Hoti.
I nderuar Avokat i popullit, z. Naim Çelaj,
Të dashur familjarë të familjeve të vrarë në Kosovë dhe familjarë të të pagjeturve!
Shoqatat e familjarëve në tërë Kosovën për më shumë se 20 vjet po bëjnë përpjekje të pandalshme për t’a ruajtur shëndetin fizik dhe mendor të të mbijetuarve të masakrave dhe të dhunës gjenocidale serbe.
Krahas kësaj, këto shoqata ditë e natë po rendin nga një cep në tjetrin për të gjetur familjarët e pagjetur deri më tash.
Tashmë, kur e kemi humbur çdo shpresë se do t’i gjejmë të gjallë, u kemi caktuar vendin e varrit për gjyshërit, prindërit, vajzat, djemtë, nipërit e mbesat, vëllezërit e motrat e tona, me shpresën e vetme se një ditë do t’i gjejmë trupat e tyre!
Çështja e tretë madhore është sjellja para drejtësisë të të gjithë kriminelëve që shkaktuan vuajtje të ditë e natëshme për ne!
Ne jemi vetëm vullnetar me shumë energji për t’a gjetur rrugën në zbatimin e drejtësisë.
Institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe ato shtetërore nuk na e shëruan shpirtin. Vetëm në Krushë të Madhe u vranë, u masakruan e u dogjën 241 qytetarë. Nga ta 7 fëmijë, 5 gra (njëra shtatzënë). U dogjën apo u vodhën 2000 kafshë. U dogjën 1000 shtëpi dhe u plaçkitën gjithë paratë dhe gjëra të tjera me vlerë. Shtatë familje kanë mbetur pa mashkull trashëgimtarë, 510 fëmijë jetimë. Ende i kemi të pagjetur edhe 64!
Edhe përkundër gjithë këtij krimi në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël e gjetiu në tërë Kosovën, kurrë nuk i prangosën kriminelët. Apo, të jem më i saktë, vetëm disa sish u zunë dhe të ngarkuar me krime lufte-masakrim të popullatës civile morën dënime simbolike, dhe sa për ilustrim një vrasës i zakonshëm mori dënimin e merituar (për dhunë familjare) dënim të përjetshëm, e krimineli i vetëm që u kap për krimet e Krushës mori vetëm 11 vite!
Sot, jemi mbledhur këtu për të diskutuar për uljen e dënimit nga 22 vite në 11 vite nga Gjykata e Apelit për kriminelin serb Darko Tasic nga Krusha e Vogël, pjesëtar i milicisë së Serbisë, përgjegjës për vrasje dhe krime të tjera të bëra ndaj qytetarëve nga Krusha e Vogël dhe Krusha e Madhe, si dhe përgjegjegjës për djegien dhe hedhjen në lum të qytetarëve të Krushës së Madhe. Pastaj, pasi që i kishin vrarë, sipër fshatit Krushë e Madhe, në mënyrë të organizuar bashkë me familjarët e tij dhe me serb tjerë lokal nga Krusha e Vogël, i kanë ngarkuar në kamionin Mercedes 508-D, pronë e qytetarit Krushjan, Sadri Shyqeri Veliu, dhe pas qëndrimit për rreth dy orë para shkollës fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe. Ai, i ka dërguar viktimat tek lumi Drini i Bardhë, mes fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, si dhe i njëjti është përgjegjës për dëmtim të pronës dhe dëbimit masiv, me dhunë të qytetarëve të Krushës së Vogël, Krushës së Madhe dhe të fshatrave për rreth.
Ne, nuk duam të ndërhyjmë në gjyqësi, por duam drejtësi profesionale!
Ne, familjarët jemi të pa kualifikuar në drejtësi. Ne ngarendim kudo që na e merrë mendja se mund të gjejmë përkrahje! Dhe, nga ngarendjet tona rezultatet nuk janë në harmoni me Çështjen e Shenjtë, për të cilën ne angazhohemi, por ato rezultate janë në harmoni me interesat e politikës ditore kosovare dhe asaj ndërkombëtare!
Familjarët e Krushës së Madhe e çmojnë secilin individ apo institucion që ndihmon në rrugëtimin tonë për të realizuar të drejtën elementare për të ditur fatin e njerëzve tanë! Në nivelin politik e diplomatik ka pas debate e veprime, por për ne, këto janë të pamjaftueshme! Ne duam që të dimë për secilin anëtarë të familjeve tona, kërkojmë të dihet fati i tyre.
Krushjanët kërkojnë nga ju, deputetë të nderuar, që të gjeni rrugë edhe ndërkombëtare dhe ato kombëtare duke siguruar legjislacion të duhur e institucione drejtësie profesionale për ti dënuar kriminelët. Puna e parë që ju mund ta bëni, edhe atë lehtë, është që për secilën shoqatë të familjarëve të angazhoni nga një avokat apo kompani juridike kombëtare, apo ndërkombëtare (permes konkursit publik) e cila na siguron se gjen mënyrë per t’i derguar në gjykatë, kriminelet!, që të na përfaqësoj para secilit institucion dhe në të njejtën kohë të na udhëzojë se si t’i përdorim të dhënat tona, dokumentet e dëshmitë për gjykata të ndryshme.
Ne duam vetëm drejtësi, le të jet kudo në botë!
Andaj, duke ju falënderuar për mirëkuptimin tuaj, po iu lus që të siguroni MENJËHERE avokat për ne, dhe një lutje e përsëritshme: Mos flisni për të pagjeturit politikisht! Ju lutem mos e keqpërdorni dhembjen tonë për votat tuaja! Ne kemi dhembje, ne i kemi plagët e hapura ditë e natë, ju lutem, mos na hidhni kripë në plagët tona!
Jungjatjeta,
Selami Hoti
Kryetar i Këshillit të Fshatit Krushë e Madhe