Challandes: Përkundër mungesave nuk e ndryshojmë filozofinë e lojës

0
100

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është paraqitur në konferencën e parë për media në prag të ndeshjes gjysmëfinale të “play-off”-it me Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj konference Challandes kërkoi nga i gjithë opinioni që t’i japin përkrahje ekipit kombëtar para kësaj ndeshje tejet të rëndësishme, teksa foli edhe për mungesat dhe situatën e disa futbollistëve të cilët ende nuk dihet nëse do të vihen në dispozicion të tij, si dhe për mosgrumbullimin e Bernard Berishës.

“Unë jam trajneri dhe duhet të marr vendime që janë për të mirën e ekipin. Bernard Berisha nuk është këtu për arsye të ndryshme, e kam thënë dhe po e them: ne jemi një familje. Nëse ka probleme babai me njërin fëmijë, problemi duhet të mbetet në shtëpi. E njëjta vlen edhe për Bernardin apo ndonjë tjetër. Janë edhe disa arsye të tjera, nuk duhet t’i përmend. Kam folur një orë me Bernardin dhe shpresoj që kjo t’i shërbejë atij. Edhe për të dyert e Kombëtares janë të hapura”, ka thënë Callandes.

Duke folur për rikthimin e Vedat Muriqit, përzgjedhësi u shpreh pesimist se do të mund të llogarisë në shërbimet e tij për ndeshjen në Shkup. “Për Vedat Muriqin duhet të presim deri të martën që të bëjë teste në koordinim me stafin mjekësor të Lazios, në mënyrë që ta shohim se sa do të ketë progres. Të shohim. Më duhet ta them se jam pesimist për mundësinë e rikuperimit të tij në kohë për shkak të natyrës së lëndimit”.

Tutje Challandes konfirmoi se në këtë ndeshje do të mungojnë edhe Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Idriz Voca që pësuan lëndime në ndeshjet e fundjavës, por përkundër situatës së vështirë ka dhënë mesazh inkurajues.

“E njoh Kosovën, i njoh lojtarët e mi. E njoh mentalitetin tuaj, e njoh paksa edhe historinë tuaj. Do të kem një ekip luftëtarësh në fushë, jam i bindur për këtë. Nuk është vetëm një ndeshje futbolli. Kosova është një vend i ri me të ardhme. Kemi lojtarë që po shkojnë në klube të mëdha. Ata nuk e harrojnë kurrë të kaluarën, se prej nga vijnë, rrënjët e tyre. Jam i sigurt se në fund të ndeshjes s’do të na mbetet peng për asgjë. Shpresoj që të marrim rezultat të favorshëm në Shkup. Jemi në një periudhë jo të mirë, lojtarët janë në fazën e ndryshimit të ekipit. Nuk është një situatë e lehtë. Shpirti dhe mendja e jonë janë vetëm tek Maqedonia e Veriut”, ka nënvizuar Challandes.

Kombëtarja e Kosovës sot në orën 19:00 do ta zhvillojë seancën e parë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Për më shumë shikojeni videon nga konferenca e përzgjedhësit Challandes: