FFK pjesë e “UEFA Coaching Convention”, ndahet “UEFA Licencë B” për 62 trajnerë

0
36

Sot në selinë e FFK-së është bërë shpërndarja e diplomave UEFA Licencë B për 62 trajnerë, të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollimin tremujorë të ndarë në disa faza, duke përfshirë edhe praktikën në klube.

Puna e palodhshme e sektorit të edukimit të FFK-së dhe edukimi i mirëfilltë i trajnerëve ia ka mundësuar FFK-së që të bëhet pjesë e “UEFA Coaching Convention”, duke u bërë e barabartë me të gjitha federatat e tjera anëtare të UEFA-s edhe në procesin e edukimit të trajnerëve. Kësisoj, tashmë FFK do të ketë mundësi që në të ardhmen të rrisë kapacitetet dhe të bëjë edhe shkollimin e trajnerëve për UEFA Licencën A dhe UEFA Pro.

I pranishëm në ndarjen e diplomave të para të kësaj kategorie ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili përgëzoi trajnerët për pajisjen me “UEFA Licencë B”, teksa e vlerësoi përkushtimin e sektorit të edukimit të FFK-së dhe trajnerëve pjesëmarrës gjatë fazës sa ka zgjatur ky shkollim.

Presidenti Ademi theksoi se sektori i edukimit të trajnerëve ka qenë ndër prioritetet e federatës dhe tashmë është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe me kritere të larta në edukimin e trajnerëve. Sektori i edukimit në FFK vazhdon të organizojë kurset për Licencën C dhe Licencën B, ku deri më tash është arritur që një pjesë e konsiderueshme e trajnerëve të jenë të pajisur me këto licenca.