Lura dhe Mali i Dejës, vendi ku turistët prekin madhështinë e natyrës dhe turizmit malor në Shqipëri

0
372

Me të drejtë, Parku Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” është ndër parqet me sipërfaqen më të madhe, por ndër më të bukurit në Shqipëri.

Male të harlisura me pyje, pisha, bredhi, ahu, bimësi e pafundme, rrethojnë liqenet akullnajore në shpate dhe që njihen nga të gjithë si “12 liqenet e Lurës”.

Ngado që ta nisësh rrugën, në tri destinacione duke u ngjitur për në Lurë, bukuritë shtohen, pamjet bëhen më piktoreske dhe madhështia të mbush gjatë rrugëtimit, aq sa para malesh dukesh çdo çast e më i vogël sepse malet ngjiten lart drejt qiellit.

Parku Kombëtarë nis nga Uraka, Zall-Gjocaj-Lurë, ndërsa në krahun lindor, Macukull, Kepi i Skënderbeut, Mas Deja.

Janë tri rrugë që të çojnë në Lurë, njëra nis nga Rruga e Kombit, Rrëshen-Zallë-Gjçaj-Lurë, tjetra nis nga Rruga e Kombit, Mat, Kemi i Skënderbeut, Fushë-Pela që është edhe kontakti i parë më liqenin e luleve. Ndërsa tjetra nis nga Dibër-Lurë që është një nga urët lidhëse më të bukura ku malet shohin njëri-tjetrin, Deja dhe Korabi.

Bukuritë natyrore nisin që në fillim të rrugëtimit, pasi pjesa veriore e Rrëshenit nis me pyjet e lisit për t’u ngjitur në lartësi në Kurbnesh, ku fillon dhe rruga e bjeshkës, e në krah duken zona e Zall-Gjoçaj dhe konturet e Malit të Dejës.

Po ashtu dhe rruga e Matit nis me Shkopetin e konsideruar si një atraksion për turistët e huaj, Liqenin e Shkopetit, Ulzës dhe luginën e Mati për t’u ngjitur drejtë Malit të Skënderbeut apo siç vendasit e njohin si Varosh, qyteti i kohës së Skënderbeut, për të vijuar drejt pjesë së pas Dejës ku të shfaqen bukuritë e pa krahasueshme.

Aktualisht Parku Kombëtar i Lurës është zgjeruar edhe me liqenin e Zall-Gjoçaj, duke krijuar Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” me një sipërfaqe prej 20 mijë e 242 hektarë.

Koha pas kohe, njerëz të shquar, diplomatë, poetë të huaj dhe vendas janë mahnitur me bukuritë natyrore dhe kanë thurur vargje e poezi për bukuritë natyrore, sepse edhe sot janë zonat më të bukura të Shqipërisë.

E, që nga ajo kohë Lura mbetet sërish një kryevepra e natyrës dhe turizmit malor.

Kullat dhe oborret e rrethuara me furde prej druri që janë tradita alpine, e bëjnë edhe më shumë tërheqëse këtë zone. Kullat janë unike për sa i përket ndërtimit, me frëngji në katet e dyta dhe pika vrojtimi si kështjella në miniature.

Turistë të huaj dhe vendas nuk reshtin së vizituari Lurën dhe periudha e verës është më e preferuar pasi ofron freski mes ujërave të ftohta dhe maleve madhështore.

Udhëtari i famshëm britanik Edith Durham është shprehur se: “Kur erdha në Qafë Lurë, pashë të tillë një fushë e bukur, që kurrë nuk kisha parë në asnjë vend të Ballkanit”.