Bën 15 skulptura me çamçakëzë, tërheq vëmendjen për ndotjen e mjedisit

0
125

Për gjashtë muaj, mikroskulptori turk Necati Korkmaz ka bërë 15 skulptura të vogla me çamçakëz për të tërhequr vëmendjen për problemin e ndotjes së mjedisit.

Korkmaz ekspozoi punimet e tij të përgatitura me mikrogjilpëra në një qendër arti të quajtur sipas tij në rrethin Kuşadası të provincës Aydın. Ai tha për Anadolu Agency (AA) se së fundmi ka filluar të bëjë skulptura me çamçakëz.

Ai vë në dukje se çamçakëzët që blen, për rreth gjashtë muaj i kthen në skulpturë pas përtypjes, duke shtuar se çamçakëzi i hedhur në natyrë është i vështirë për t’u dekompozuar dhe për këtë arsye synon të tërheqë vëmendjen ndaj problemeve që mund të ndodhin në mjedis.

Korkmaz thotë 15 skulpturat që ka bërë janë me përmasa 3 deri në 15 centimetra.

“Të gjitha janë bërë duke përdorur çamçakëzë. Kam përdorur çamçakëzë shumëngjyrësh. Kjo është hera e parë që bëhet një gjë e tillë në botë. Ekspozita ishte interesante. Vizitorët në fillim nuk besuan se ato ishin bërë nga çamçakëzët. Me këto punime kemi dashur të japim një mesazh ekologjik. Bëmë skulptura si skelet peshku me mbeturina mbi të, figurën e Sherlock Holmes-it dhe vepra të tjera”, u shpreh Korkmaz.

Korkmaz shtoi se punimet që ka bërë nga çamçakëzët mund të shihen me sy të lirë në krahasim me veprat e tjera të tij.

Në qendrën e artit ekspozohen më shumë se 40 vepra të tij, të cilat mund të shihen vetëm me xham zmadhues ose mikroskop.

Vizitorët kanë mundësinë të shohin një “statujë doktori” prej dy milimetrash prej qeramike, fjalën “Bismilah” të shkruar në një fije floku, 99 emrat e Allahut të shkruar në një rruzare të bërë nga farat e fikut, figura shahu dhe shkrime.