Presidentja Osmani për helmimet në Deçan: Rast shumë i çuditshëm, gjithçka të trajtohet me urgjencë

0
407

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka ripërsëritur që autoritetet me urgjencë duhet të trajtojnë rastin e gjendjes së krijuar të helmimit të qytetarëve në Komunën e Deçanit.

Osmani mes tjerash gjatë vizitë së saj në këtë komunë në klinikën ku dhe po trajtohen pacientët e helmuar, u shpreh se kanë ofruar të gjithë potencialin e tyre për t’i ndihmuar që ta kalojnë sa më shpejtë këtë situatë, njofton Klan Kosova.

”Edhe sot u rikonfirmua që qeveria të marrë të gjitha masat, në mënyrë që kjo qendër të furnizohet me barna të mjaftueshme për ta trajtuar këtë gjendje të qytetarëve tanë”.

”Po ashtu edhe nga sektorët tjerë, qoftë ai i mbrojtjes, janë duke u ndërmarrë të gjithë hapat e këtij rasti”.

”Është një rast shumë i çuditshëm sepse deri sot kryesisht fshatrat nga të cilët kanë ardhë qytetarët e helmuar, kanë qenë të furnizuar nga një burim i vetëm i ujit por si duket në ndërkohë ka edhe qytetarë të tjerë që vijnë nga fshatra të tjera të cilët nuk janë furnizuar nga i njëjti burim i ujit por nga burime të tjera”.

”Përveç analizave kimike të ujit që kanë përfunduar tani po presim edhe analizat biologjike të cilat pritet brenda disa orësh të përfundojnë”.

”Por, pres që institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë ta trajtojnë rastin me urgjencë jo vetëm për shkak se komuna e Deçanit ka shpallë Gjendjen Emergjente, por për shkak se kjo është çështje e interesit publik sepse ka të bëjë me shëndetin publik të qytetarëve dhe është e domosdoshme të trajtohet me urgjencë që të mësojmë sa më shpejt të jetë e mundur shkakun që ka krijuar një situatë të tillë për shëndetin e qytetarëve tanë”.

”Ofruam gjithë mbështetjen tonë gjithë komunës, për çfarëdo nevoje që kanë në veçanti QKMF-në”.