Kuvendi i Kosovës pikë të rendit të ditës edhe propozim- rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

0
110

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, të drejtuar nga Glauk Konjufca, kryetar, vendosi që të mërkurën, më 07 korrik 2021, në orën 10:00, të mbahet seancë e rregullt.

Seanca e së mërkurës do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.

Pas këtyre pikave, Kryesia vendosi që pikë e radhës së rendit të ditës të jetë propozim- rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

Seanca e rregullt do të vijojë me debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit, sipas propozimit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas debatit parlamentar, seanca do t’i vijojë punimet me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020; shqyrtimin e Raportit Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020, dhe shqyrtimin e  Raportit të punës së Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020.

Në rend dite, Kryesia vendosi edhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Po ashtu, Kryesia vendosi që të fus në rend dite për këtë seancë edhe zgjedhjen e anëtarëve  të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, si dhe zgjedhjen e një anëtari të Autoritetit Rregullativ të Ujit.

Kryesia, në mbledhjen e sotme, ndër tjera vendosi që të formojë një grup punues për përgatitjet në lidhje me shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.