Presidentja Osmani priti në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

0
58

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim  sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e ka falënderuar për rolin vendimtar të Aleancës Veri-Atlantike  në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it. Në këtë takim, Presidentja Osmani ka falënderuar z.Stoltenberg edhe për mbështetjen e KFOR-it për trajnimin e FSK-së, e cila procesin e  tranzicionit në Ushtri po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t`u bërë pjesë e kësaj organizate. Zonja Osmani ka përmendur edhe mbështetjen e KFOR-it dhënë komunave në përballje me pandeminë Covid-19.

Më tej, Presidentja Osmani ka potencuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, NATO dhe OKB.

“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërkaq në kontekstin e sigurisë rajonale, Presidentja ka përmendur edhe rrezikun nga ndikimi rus në Ballkan, ndaj e ka konsideruar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë tejet të rëndësishëm.