Për herë të parë, zbulohet një çift vrimë e zezë-yll neutron

0
62

Detektorët e valëve gravitacionale LIGO dhe Virgo e pikasën dy herë këtë lloj ngjarjeje kalimtare, prej disa dhjetëra sekondash, që ka ndodhur një miliard vjet më parë dhe që sjell të dhëna të reja në evolucionin e Universit, sipas një artikulli të botuar në “Le Monde”.

Më 5 dhe 15 janar 2020, astronomët vëzhguan një objekt të paparë, siç njoftuan më 29 qershor në “The Astrophysical Journal Letters”: Për herë të parë, një vrimë e zezë dhe një yll neutron po rrotulloheshin rreth njëri-tjetrit.

Më vete, përfaqësuesit e këtyre dy familjeve janë vëzhguar tashmë më parë.

Një vrimë e zezë, që është një trup qiellor aq i dendur, saqë parandalon të gjithë lëndën, madje edhe dritën që t’i shpëtojë tërheqjës së saj të madhe gravitacionale, u fotografua për herë të parë në vitin 2019.

Po kështu, edhe yjet neutronë janë vërejtur rregullisht në galaktikën tonë, në formën e “fenerëve” që e pulsojnë rrezatimin e tyre si metronomë, nga ku vjen edhe emërtimi i tyre “pulsar”.

Të dy objektet janë, në fakt, mbetje të yjeve shumë masivë, që, të mbetur “pa karburant”, fillojnë të zhduken në vetvete.

Por këto dy pesha të rënda, sjellja e të cilave është ende misterioze për fizikantët, kurrë nuk ishin parë si një çift.

“Një binar yll neutron-vrimë e zezë mungonte në vëzhgimet tona. Jemi të lumtur që e gjetëm!”, shkruan me entuziazëm Astrid Lamberts, astrofizikante e CNRS në Observatorin e Côte d’Azur./ATSH