Biden: Sa të jem unë president, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

0
91

Presidenti i SHBA, Joe Biden u zotua të mos lejojë kurrë Iranin të zhvillojë armë bërthamore.

Në komentet përpara një takimi me presidentin izraelit në largim, Reuven Rivlin, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ”ajo që unë mund t’ju them është se Irani kurrë nuk do të ketë një armë bërthamore sa të jem unë president”.

Presidenti i SHBA gjithashtu i tha Rivlin, i cili pritet të largohet nga zyra më 9 korrik, se vendi i tij “mbetet i vendosur për t’iu kundërvënë veprimtarisë malinje të Iranit dhe mbështetjes për përfaqësuesit terroristë, të cilët kanë pasoja destabilizuese për rajonin”.

Komentet e Biden erdhën një ditë pasi ai urdhëroi sulme në vendet e përdorura nga grupet e milicisë të mbështetur nga Irani në kufirin Irak-Siri.

”Grupet ishin përgjegjës për sulmet ndaj personelit amerikan në Irak”, tha Biden.

Pasi SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore ndërkombëtare në 2018, Teherani nuk respektoi marrëveshjen e vendosur për programin e tij bërthamor.

Diplomatë nga Gjermania, Franca, Britania, Rusia dhe Kina janë përpjekur të ndërmjetësojnë midis SHBA dhe Iranit në bisedimet që po zhvillohen në Vjenë që nga prilli, me synimin për të shpëtuar paktin bërthamor.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili zgjodhi të tërhiqej nga marrëveshja dhe ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kritikoi vazhdimisht marrëveshjen, të dy tani janë zëvendësuar dhe SHBA dhe Izraeli po rregullojnë marrëdhëniet e tyre.

Ministri i ri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid tha në fillim të kësaj jave të dy vendet do të rregullojnë gabimet e bëra gjatë viteve të fundit, por theksoi se ai kishte shqetësime “serioze” në lidhje me negociatat për kthimin e SHBA-së në marrëveshjen bërthamore.

Shtëpia e Bardhë të hënën tha se Biden i bëri një ftesë kryeministrit të ri Naftali Bennett “për t’u takuar me të së shpejti në Shtëpinë e Bardhë” dhe riafirmoi se ”kjo administratë pret që të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë e re izraelite për shumë çështje të rëndësishme në bilaterale”./ATSH