Kuvendi të enjten mban seancë

0
29

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e fundit ka vendosur që të enjten të mbahet seanca e radhës.

Siç ka njoftuar Drejtoria për Media e Kuvendit, në rend të ditës do të jenë 10 pika, transmeton Klankosova.tv.

“Pritet që Kuvendi të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për të vijuar më pas me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”, shkruan në kumtesë.

Në këtë mbledhje deputetët do të shqyrtojnë edhe rekomandime të tjera si ato për Raportin e Auditimit të performacës, zbatimi i rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve.

Ndryshe, pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, i bartur nga seanca e fundit.