Cristiano Ronaldo, armik i Coca-Cola: Gjesti i futbollistit i kushton kompanisë miliarda dollarë

0
1148

Një nga ngjarjet kryesore së fundmi në Kampionatit Europian nuk ndodhi në fushë, por para ndeshjes, në një konferencë për shtyp. Cristiano Ronaldo nuk e vodhi vëmendjen me çfarë tha, por me çfarë bëri. Gjesti i tij u bë viral kudo.

36-vjeçari zhvendosi dy shishe Coca-Cola larg tij dhe më pas ngriti sipër shishen e ujit duke thënë në portugalisht “agua” (ujë), veprim që synonte të inkurajonte njerëzit që të zgjidhnin ujin.

Çmimi i aksionit të Coca-Cola ra nga 56.10 dollarë në 55.22 dollarë pothuajse menjëherë pas gjestit të Ronaldos, një rënie prej 1.6%, sipas Guardian. Vlera e tregut e Coca-Cola shkoi nga 242 miliardë dollarë në 238 miliardë dollarë – një rënie prej 4 miliardë dollarë.

Coca-Cola, një nga sponsorët zyrtarë të Euro 2020, u përgjigj në një deklaratë duke thënë se “të gjithë kanë të drejtë për preferencat e tyre të pijeve” me “shije dhe nevoja” të ndryshme.

Në fillim, njerëzit në Twitter sugjeruan që Ronaldo mund t’i ketë hequr shishet për shkak të ndonjë marrëveshjeje sponsorizimi me Pepsin, rivalin kryesor të Coca-Cola, por nuk ka gjasa të jetë kështu. Ronaldo është një fanatik i jetës së shëndetshme dhe nuk është hera e parë që deklarohet “armik” i ushqimeve dhe pijeve të përpunuara.

“Herë pas here, djali im pi Coca Cola ose Fanta dhe ha patatina dhe ai e di që nuk më pëlqen,” ka thënë futbollisti në një intervistë për djalin e tij më të madh, Cristiano Junior.

Nuk dihet nëse UEFA do të marrë ndonjë masë kundrejt Ronaldo-s për veprimin ndaj njërit prej sponsorëve kryesorë.