Konjufca: Na duhet koordinim me Shqipërinë që Kosova të mos dëmtohet në dialog

0
71

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Konjufca atje është pritur nga homologu i tij shqiptar, Gramoz Ruçi, me të cilin biseduan për sfidat që i presin të dy vendet duke folur kështu edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai tha se Kosova do të përballet me një dialog të vështirë me Serbinë dhe se duhet një koordinim i ngushtë me Shqipërinë, ashtu që Kosova të mos dëmtohet nga ndonjë marrëveshje e dëshme dhe se kjo është beteja e përbashkët e të dy vendeve.

“Ne do të përballemi në një dialog të vështirë më Serbinë, meqë faktorët ndërkombëtarë e kanë definuar atë si faza përfundimtarë me të cilën duhej të përmbyllej ky dialog e që duhej ta merrte formën e një marrëveshje finale”.

“Na duhet një koordinim i ngushtë me Shqipërinë, ashtu që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë e për Kosovën dëm do të ishte krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Kosovës e cila do të kontrollohej nga Beogradi. Kjo nuk bënë assesi të ndodhë dhe kjo është beteja jonë e përbashkët, me c’ rast na duhet një koordinim i ngushtë me Shqipërinë”, ka thënë Konjufca në konferencë për media, njofton Klankosova.tv.

Tutje, kreu i parlamentit thotë se Kosova gjithashtu po përballet edhe me një proces të vështirë gjyqësorë në Gjykatën Speciale, ku disa prej krerëve më të rëndësishëm të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po gjykohen në Hagë.

“Ne duhet që edhe në këtë dimension t’i bashkërendojmë veprimet tona me shtetin shqiptar, ashtu që t’mund ta kalojmë me dëme sa më të vogël edhe këtë sfidë, meqë lufta e UÇK-së nuk ka qenë vetëm e Kosovës, por ka qenë e gjithë kombit shqiptar, prandaj edhe e tillë duhet të trajtohet e mbrohet”, është shprehur Konjufca.